Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Ashton Carter e kaloi javën e tij të parë në detyrë duke udhëtuar drejt Afganistanit dhe Kuvajtit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb shqyrton domethënien e këtyre udhëtimeve të para.
Ai e ka përvojën e duhur dhe ekspertët thonë se në udhëtimin e tij të parë si sekretar mbrojtjeje, Ashton Carter po shikon drejt të ardhmes.
Ish-diplomati James Dobbins ka qenë përfaqësuesi i SHBA-së në Bashkimin Evropian dhe në Afganistan përpara se t’i bashkohej institutit “RAND Corporation”.
“Atij i duhet t’u dalë zot situatave që janë zhvilluar gjatë periudhës së një viti.”
Ndryshimet gjatë këtij viti kanë qenë drastike. Shtetet e Bashkuara i dhanë fund misionit luftarak në Afganistan, që ishte dhe ndalesa e tij e parë.
“Prioriteti ynë tashmë është të sigurohemi se progresi do të vazhdojë.”
Në Evropë, Rusia vazhdon të trazojë Ukrainën e paqëndrueshme.
Dhe militantët e Shtetit Islamik kanë vërshuar drejt zonave të Irakut dhe Sirisë.
“Ndoshta rreziku me të cilin përballemi tani nuk është aq i madh sa më parë, por është sigurisht më i shumëllojshëm dhe më kompleks.”
Zoti Carter zgjodhi Kuvajtin si ndalesën e tij të dytë për të diskutuar rrezikun e Shtetit Islamik, së bashku me diplomatë të lartë amerikanë, që ai i quan “ekipi Amerika”. Pentagoni thotë se misioni kishte për qëllim njohjen me situatën.
“Qëllimi i takimit nuk ishte të prodhonte rezultate, por të informonte sekretarin e mbrojtjes rreth strategjive, statusit të zhvillimeve në rajon, dhe për t’i dhënë atij një botëkuptim real të luftës kundër ISIL-it.”
Gjatë udhëtimit të tij, zoti Carter nuk la të kuptohet se koalicionit do t’i duhet të rishikojë strategjinë e tij.
“Një mposhtje e plotë e këtij grupimi brutal është e mundur, dhe do të arrihet.”
Ndërkohë që zoti Carter mbante fjalën e tij, forcat irakiane përgatiteshin për një kundërsulm për të larguar grupin xhihadist nga qyteti al-Baghdadi. Qyteza Anbar ndodhet pranë një baze ajrore të rëndësishme, ku marinsa amerikanë po stërvisin forcat irakiane.