Lidhje

Putin: Rusia e gatëshme të punojë me Uashingtonin


Në një intervistë që dha të shtunën në televizionin rus Rossiya 1, Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia duhet të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara. Kjo shihet si një shenjë e zbutjes së retorikës së udhëheqësit rus.

Presidenti Putin tha se ta bësh ekonominë botërore më demokratike dhe më të balancuar, në mënyrë që bota të jetë më demokratike, është një pikësynim i përbashkët i të dy vendeve. Disa interesa të tjera të përbashkëta që kanë Rusia dhe SHBA, sipas presidentit Putin, janë mos përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe kundër varfërisë.

Në të kaluarën zoti Putin i ka sulmuar ashpër SHBA dhe Perëndimin në përgjithësi, për nxitjen e krizës në Ukrainë përmes të ashtuqujturit grusht shteti ndaj ish-udhëheqësit Viktor Yanukovich, një aleat i afërt i Moskës.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit dhe vendeve të tjera perëndimore arritën një pikë të ulët pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nga përfshirja e vazhdueshme e Rusisë në konfliktin e armatosur në Ukrainë, gjatë të cilit Moska ka mbështetur rebeletë seperatistë që luftojnë me forcat qeveritare.

XS
SM
MD
LG