Lidhje

Debate rreth lidhjeve politike të Dzanashvilit


Biznesmeni izraelito-gjeorgjian Amiran Dzanashvili, nën hetim për dyshimet për pastrim parash në Shqipëri, objekt polemikash në parlament. Paloka: Bashkëshortja e Erion Velisë përfaqësuese e tij ligjore. Balla: Ka bërë vetëm regjistrimin në QKR

Lidhjet në Shqipëri të biznesmenit izraelito-gjeorgjian Amiran Dzanashvili, i cili është nën hetim nga prokuroria shqiptare pasi dyshohet se ka shfrytëzuar aktivitetin e tij tregtar për pastrim parash, u bë sot objekt debatesh dhe polemikash në parlament. Kryetari i grupit demokrat Edi Paloka tha se “ky personazh i njohur i krimit dhe i mafies ndërkombëtare, rezulton në Shqipëri i lidhur me deputetë, edhe këta me precedentë penalë, me ministra e bashkëshortet e tyre, me biznesmenë nafte e pronarë mediash”.

Dzanashvili është shfaqur në Shqipëri para disa vitesh. Në 2013-ën, ai bleu 50 përqind të aksioneve në kompaninë e basteve Xhoi Lloto, duke u bërë ortak me Mark Frrokun, i cili po atë vit u zgjodh deputet, ndërkohë që aktualisht ndodhet në masë sigurie dhe nën hetim nën dyshimet për disa vepra penale. Biznesmeni Dzanashvili, ka kryer disa kalime dhe transferime aksionesh në kompaninë Xhoi Lloto, që kanë nxitur dyshimet për një aktivitet të mundshëm pastrami parash.

Por zoti Paloka i mëshoi në vecanti, njoftimeve të fundit të shtypit sipas të cilave zonja Ajola Xoxe, bashkëshortja e kandidatit aktual të së majtës, për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, “ka qenë një ndër përfaqësueset ligjore me të drejta të plotë për aktivitetin në Shqipëri të kompanisë së Dzanashvilit”.

Vetë zonja Xoxe nuk ka patur deri më tani asnjë reagim, lidhur me pozicionin e saj në aktivitetin tregtar të biznesmenit izraelito-gjeorgjian. Ndërsa në parlament, deputeti socialist Taulant Balla, në replikë me zotin Paloka, u shpreh se “zonja e nderuar së cilës mundoheni t’i bëni pis emrin, është një jurist, e cila ka punuar për disa kohë në një zyrë avokatie në pronë të dy individëve avokatë të këtij vendi. Dhe nuk ka asnjë përgjegjësi një jurist në një zyrë avokatore pse bën rregjistrimin në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit”, u shpreh Balla.

Lidhur me një numër shkrimesh të botuara në shtypin shqiptar dhe polemikat edhe politike, sot reagoi përmes një emaili dërguar mediave shqiptare edhe vetë biznesmeni Dzanashvili. Ai i konsideroi të pabaza akuzat ndaj tij, duke deklaruar se “në Shqipëri kam kryer një aktivitet normal dhe të ndershëm biznesi”. Sipas tij, “emri im po përdoret për qëllime politike në fushatën aktuale zgjedhore”. Më tej ai shkruan se është takuar si në Shqipëri, ashtu dhe në Izrael me zyrtarët më të lartë shqiptarë duke përmendur ish kryeministrin Sali Berisha, kryeministrin aktual Edi Rama, apo kreun e parlamentit Ilir Meta “për të ndihmuar Shqipërinë për të sjellë sa më shumë investitorë të huaj”.

Amiran Dzanashvili përfundoi në pranga vitin e shkuar në kryeqytetin rumun Bukuresht, ku është pronarë i disa kazinove, salla lojërash, dhe hotele, nën dyshimin e përfshirjes në një rrjet prostitucioni. Në deklaratën e tij ai pranon se është nën hetim në Rumani “por ndaj meje nuk është ngritur ndonjë akuzë, dhe nuk jam arrestuar apo gjendem në burg. Sot ndodhem në Londër”, shkruan biznesmeni, ndërsa hedh poshtë akuzat të ketë financuar ndonjë forcë politike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG