Lidhje

Drejt fundit ballafaqimi i Greqisë me kreditorët


Të 18 vendet anëtare të Eurozonës kanë refuzuar unanimisht kërkesën e Greqisë për të zgjatur programin e shpëtimin financiar përtej afatit të së martës, njofton agjensia e lajmeve Reuters. Ky vendim interpretohet edhe si dalje e Greqisë nga negociata të tjera të mundshme me Eurogroup-in, ndërkohë që vetë ministri grek i financave njoftohet të jetë larguar nga Brukseli.

Ministri i financave të Hollandës, që kryeson Eurogroup-in, i bëri thirrje deputetëve të parlamentit grek të mos miratojnë mbajtjen e një referendumi të kërkuar nga Kryeministri Tsipras. Ministri gjerman i financave citohet të ketë thënë se nuk ekzistojnë më baza për negocime, ndërsa ministri finlandez është shprehur se kjo është një ditë e hidhur, në veçanti për popullin e Greqisë.

Gjatë një konference për shtyp, Presidenti i Eurogroup, Jeroen Dijsselbloem, tha se gjatë kësaj periudhe janë forcuar më tej institucionet e bashkimit monetar evropian dhe se tashmë janë në gjendje të përballojnë të gjithë skenarët e mundshëm. Duke theksuar se bisedimeve iu dha fund prej palës greke, të cilët refuzuan propozimin për marrëveshje, zoti Dijsselbloem shtoi se skadimi i afatit kërkon masa që duhen marrë nga autoritetet greke, dhe se institucionet evropiane janë të gatshme të ndihmojnë për ruajtjen e stabilitetit financiar të Greqisë. Sipas agjensisë Reuters, deklarata e Presidentit të Eurogroup-it nënkupton se instituticonet e bashkimit monetar evropian janë përgatitur tashmë për një falimentim financiar të Greqisë.

Ministrat e financave të Eurozonës zhvilluan një takim emergjent sot, pasi Greqia njoftoi se përfundimi i bisedimeve për shpëtimin nga kriza do të hidhet në referendum..

Duke folur me gazetarët para takimit në Bruksel, kreu i Eurozonës Jeroen Dijsselbloem tha se vendimi i Greqisë ishte trishtues dhe mbyllte dyert për bisedime të mëtejshme..

Edhe ministri gjerman i Financave pati një reagim të ngjashëm. Qeveria greke ka përfunduar negociatat në mënyrë të njëanëshme, tha ministri Wolfgang Schaeuble.

Kryeministri grek Alexis Tsipras u prit me duartrokitje sot në parlament, i cili hapi debatin për kërkesën e qeverisë për një referendum. Votimi pritet sot më vonë.

Kryeministri i Greqisë ka bërë thirrje për një referendum që do të vendosë për rezultatin e bisedimeve me kreditorët ndërkombëtarë. Kryeministri Alexis Tsipras e njoftoi këtë lëvizje surprizë gjatë një fjalimi televiziv dje, duke thënë se referendumi do të zhvillohet në datën 5 korrik.

“E kam njoftuar tashmë presidentin e Greqisë, dhe nëpërmjet telefonit presidentin e Francës, kancelaren e Gjermanisë, dhe presidentin e Bankës Qendrore Evropiane. Nëpërmjet një letre do të kërkoj zyrtarisht një zgjatje të programit, në mënyrë që populli grek të vendosë, pa presion dhe shantazh, siç kërkohet nga kushtetuta jonë dhe nga tradita demokratike e Evropës.”

Prostetat në Athinë vazhduan me mijëra pjesëmarrës dhe realiteti tashmë duket më i afërt. Edhe nëse Komisioni Evropian dhe FMN-ja bien dakort me propozimin e Athinës për rritje të taksave dhe ulje të pensioneve, marrëveshja do t’i jepte vetëm gjashtë muaj të tjerë Greqisë për të kryer pagesat e kësteve. Ekonomisti Rober Kahn thotë se pas kësaj do të duhen edhe 20 miliardë dollarë të tjera.

“Më duket shumë e mundshme, që në mënyrë që Greqia të rritet, i duhet të largohet nga Eurozona, të rikthejë monedhën e saj të vjetër dhe të përjetojë një inflacion të konsiderueshëm.”

Të tjerë besojnë se një dalje e tillë do t’i shkaktonte dëm serioz Greqisë. Jacob Kirkegaard thotë se Greqia ka gjasa të bjerë dakort me kërkesat e FMN-së dhe Bashkimit Evropian për të evituar një rrënim të sistemit bankar grek.

“Nëse nuk arrihet marrëveshje gjatë fundjavës, parashikoj se vendi do të fillojë të ushtrojë kontrollin mbi depozitat bankare, që do të vërë në lëvizje një tjetër rënie ekonomike tepër dramatike.”

Tregjet financiare kanë shqetësimin se ajo çfarë ndodh në Greqi mund të përhapet në vende të tjera me borxh të lartë, si Portugalia, Spanja, dhe Italia. Analistët thonë se kjo mund të dëmtojë seriozisht sigurinë dhe stabilitetit që perceptohet se ka monedha eksperimentale e përbashkët, e njohur si Eurozona.

XS
SM
MD
LG