Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha në Vjenë se gjatë ditëve të fundit është bërë përparim i vërtetë drejt një marrëveshje bërthamore me Iranin, por negociatorët ende nuk kanë rënë dakord mbi disa çështje të rëndësishme.
Duke folur me gazetarët të dielën, zoti Kerry theksoi se "nuk jemi ende atje ku duhet."
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan vetëm një marrëveshje të mirë dhe janë të gatshme të largohen pa një marrëveshje. Sekretari Kerry tha se ndërsa pajtohet me ministrin e jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif se palët nuk kanë qenë kurrë më afër arritjes së marrëveshjes, ka ende disa çështje të pazgjidhura.
Ministrat e jashtëm nga gjashtë vendet negociuese po kthehen në Vjenë dhe po përgatiten për një shtytje përfundimtare për të siguruar një marrëveshje bërthamore me Iranin përpara skadimit të një afati të vetë-vendosur për më 7 korrik.
Zotërinjtë Kerry dhe Zarif u takuan të dielën pasi përparime u njoftuan në dy çështje mjaft të diskutueshme; ritmi i heqjes së sanksioneve dhe një hetim nëse veprimtaria e mëparshme bërthamore i Iranit ka qenë shrirë në zhvillimin e teknologjisë së armëve bërthamore.
Burimet e Zërit të Amerikës tregojnë se të dy palët kanë arritur një marrëveshje paraprake për çështjen e sanksioneve. Megjithatë, zyrtarët paralajmërojnë se kjo marrëveshje duhet të miratohet nga ministrat e jashtëm pjesmarrës në negociate.
Ndërkohë, mbikqyrësi i lartë bërthamor i OKB tregoi shpresa në lidhje me bisedimet për çështjen e diskutueshme mbi kërkesat perëndimore që Teherani të zbulojë aktivitetet e saj të kaluara bërthamore para se të arrihet një një marrëveshje e plotë përfundimtare.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Yukiya Amano, u tha gazetarëve se me bashkëpunimin nga Irani, ai pret një raport të plotë nga ekipi i tij brenda gjashtë muajve mbi përmasat e mundshme ushtarake të programit bërthamor të Iranit.
Fuqitë perëndimore besojnë se Irani ka punuar për të zhvilluar teknologji të armëve bërthamore, diçka që Teherani e ka mohuar.
Zoti Amano tha se vuri re përparim, kur ai vizitoi Iranin të enjten, por shtoi se më shumë punë duhet bërë.
Ndërsa të gjitha palët kanë njoftuar përparim, ato e kanë bërë gjithashtu të qartë se çështjet kryesore dhe të vështira mbeten të pazgjidhura.
Përveç sekretarit Kerry dhe zotit Zarif, edhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi mbeti në Vjenë gjatë gjithë fundjavës. Ministrat e tjerë të jashtëm nga fuqitë negociuese, ku përfshihen Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, do të fillojnë të kthehen në Vjenë të dielën ndërsa përpiqen të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare brenda ditës së martë.