Lidhje

Fusha magnetike e Tokës


Shumica prej nesh tepër rrallë mund të mendojnë për fushën manjetike të Tokës. Ndoshta mund ta dimë që ajo i udhëheq zogjtë në shtegëtimin e tyre, si dhe se drejton busullat drejt veriut, por nuk e vlerësojmë si një ndër aspektet kyçe që bëjnë të mundur jetën në Tokë. Gjithashtu, proçeset në bërthamën e Tokës që krijojnë fushën manjetike nuk kuptohen sa duhet. Në një laborator në Universitetin e Merilendit, shkencëtarët po përpiqen të imitojnë rrethanat e pjesës që ndodhet rreth 3 mijë kilometra nën këmbët tona.

Në thellësi të planetit tonë, një sferë me gjerësi 3400 kilometra e përbërë prej hekuri të shkrirë dhe nikeli, si dhe një sferë tjetër hekuri më e vogël dhe solide në zemër të saj, krijojnë rryma elektrike që shkaktojnë fushën manjetike të Tokës.

Përfitimi ynë më i thjeshtë është ndihma e saj për të naviguar. Por, ka dhe shumë më tepër se kaq, thotë Profesor Lathrop.

“Është një aspekt i rëndësishëm që mundëson jetën në planet, pasi na mbron nga një pjesë e madhe e rrezatimit të diellit.”

Të dhënat tregojnë se fusha manjetike e Tokës nuk është statike. Është gjithnjë në lëvizje të vazhdueshme.

“Tashmë dimë se fusha manjetike ka ndërruar drejtim disa herë në historinë e njerëzimit. Sigurisht, që drejtimi i rrotullimit të Tokës mbetet i njëjtë, por ndryshon pozicioni i polit manjetik.”

Në laboratorin e tyre të financuar nga Fondacioni Kombëtar për Shkencën, ekipi i zoti Lanthrop po mundohen të zbulojë si dhe pse ndodh kjo gjë.

Ata ndërtuan një maket topi çeliku 3 metra të gjerë që rrotullohet, të mbushur me 12.5 tonë sodium, një metal i butë që shkrin në temperaturë afro 100 gradë celcius. Një sferë çeliku 1 metër e gjerë luan rolin e bërthamës së brendshme. Të dyja mund të rrotullohen në mënyrë të pavarur.

Rrotullimi i tyre i ngadaltë nuk ka krijuar dot efektin gjenerues që mendohet se krijon fushat manjetike.

“Shohim diçka vetëm nëse krijojmë fusha manjetike nga jashtë, dhe atëherë përfitojmë një fushë manjetike dhjetë herë më të madhe.”

A do të na përgatisin këto eksperimente për një ndryshim të mundshëm të fushës manjetike të Tokës? Zoti Lanthrop thotë se është e vështirë të parashikosh ndryshimet që mund të ndodhin në mijëra vjet.

“Një sekondë e këtij eksperimenti është pothuajse sa 5 mijë vite evolucioni të fushës manjetike. Pra, qëllimi është të krijojmë një model parashikimi që mund ta përmirësojmë në vazhdimësi.”

Zoti Lanthrop thotë se intensiteti i fushës manjetike të planetit tonë ka rënë 10% në 170 vitet e fundit, çka tregon se proçesi i ndryshimit mund të ketë filluar tashmë.

Fatmirësisht, ky ndryshim është tepër i ngadaltë për të ndikuar në jetën tonë të përditshme.

XS
SM
MD
LG