Lidhje

Greqia përballë valës së refugjatëve


Greqia ka zëvendësuar Italinë si vendi kryesor tranzit për emigrantët që synojnë të futen në Evropën Perëndimore. Mbi 100 mijë vetë janë futur në Greqi vetëm gjatë 6 muajve të parë të 2015. Pjesa më e madhe e tyre duan të kalojnë në Evropën Perëndimore, pasi Greqia e zhytur në krizë nuk paraqet alternativë tërheqëse. Por siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, udhëtimi përmes Ballkanit shoqërohet me rreziqe të shumta:

Ditë e natë, anijet arrijnë në brigjet e ishullit Lesbos në Greqi, të mbushura me refugjatë. Më shumë se gjysma janë sirianë që i largohen luftës.

Amro Hauydar është refugjat nga Siria

“Jemi pre e bombave, sulmeve, terroristëve dhe regjimit. Të gjithë duan të na vrasin”.

Mbi 100 mijë emigrantë mbërritën në Greqi vetëm brenda këtij viti. Ata vijnë në një vend të mbërthyer nga kriza. Kryetari i bashkisë në Mitilini Spyros Galinos, thotë se është një situate katastrofike:

“Me pak fjalë, në njërën dorë kam një bombë – borxhin e qeverisë greke, dhe tani më kanë dhënë një bombë tjetër – emigrantët dhe nuk di cila do të plasë e para”.

Kur emigrantët mbërrijnë në Athinë, grupet humanitare thonë se nuk shohin shumë ndihma nga qeveria. Gauri Van Gulik është me Amnesty International.

“Zakonisht ekziston ligji i azilit që u ofron njerëzve mbrojtje. Për momentin kjo situatë është krejt e çrregulluar në Greqi, prandaj kaq shumë njerëz largohen. Kjo çon edhe në problemet që hasim aktualisht në Ballkanin perëndimor”.

Itinerari i refugjatëve kalon nga Greqia nëpër Ballkanin Perëndimor, duke përshkuar Maqedoninë, Serbinë dhe Hungarinë që është porta për në Evropën Perëndimore. Amnesty International ka dokumentuar abuzime të shumta, thotë zonja Gulik.

“I përzënë, automatikisht në mënyrë që turmat të kthehen në Greqi. Kemi dokumentuar dhunë, edhe përdorim të armëve të zjarrit, rrahje të emigrantëve, përfshirë edhe ndaj fëmijëve”.

Hungaria ka filluar ndërtimin e një strukture rrethuese në vijën kufitare për të mos lejuar ardhjen e emigrantëve nga Serbia.

“Njerëzit po mbahen të bllokuar në vende ku abuzohen. Nuk kanë ku të shkojnë”.

Mijëra emigrantë të tjerë vazhdojnë të rrezikojnë jetët për të kaluar Mesdheun nga Afrika Veriore për në Itali. Mendohet se rreth 40 vetë mund të kenë gjetur vdekjen vetëm të mërkurën kur anija e tyre u përmbys pranë brigjeve të Libisë.

XS
SM
MD
LG