Lidhje

Parlamenti i Kosovës debaton për Gjykatën e Posaçme


Thaci - Mustafa
Thaci - Mustafa

Parlamenti i Kosovës po debaton sot ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Parlamenti i Kosovës rihapi diskutimet për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Gjykatës së Posaçme, e cila do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Më 26 qershor, parlamenti nuk i miratoi ndryshimet.

Qeveria e Kosovës u bëri thirrje deputetëve që të miratojnë ndryshimet kushtetuese duke i cilësuar ato një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve kundrejt partnerëve ndërkombëtarë.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht.

Përfaqësuesit e opozitës hodhën një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999, përkatësisht siç thuhet gjenocidin që ka ushtruar Serbia në Kosovë, por nuk siguroi votat e mjaftueshme që kjo çështje të futet si pikë e parë e rendit të ditës për sot.

Udhëheqësit e opozitës thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksojnë se ri votimi do të dëmtojë rëndë demokracinë në vend.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.

Vendimi për rivotim pasoi diskutime të gjata brenda koalicionit qeverisës, përkatësisht brenda Partisë Demokratike, një numër i deputetëve të së ciëls votuan kundër, abstenuan, apo nuk morën fare pjesë në seancën e 26 qershorit gjë që nxiti shtimin e trysnisë ndërkombëtare posaçërisht ndaj kryetarit të kësaj partie Hashim Thaçi, për gjetjen e rrugëve për votimin e serishëm të ndryshimeve kushtetuese.

Ky proces, kërkon dy të tretat e votave në parlament si dhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave kombëtare.

XS
SM
MD
LG