Lidhje

Kultivimi i kafesë në Kaliforni


Diçka që konsiderohej e pamendueshme më parë është bërë tani realitet: një fermer ka krijuar një plantacion kafeje në Kaliforni. Ai shpreson se tentativa e tij do të jetë një përsëritje e suksesit që përjetoi disa dekada më parë Kalifornia me mbjelljen e vreshtave dhe zhvillimin e industrisë së verës:

Eshtë sezoni i vjeljes së frutave të kuqe të kafesë. Por kjo panoramë mjaft tipike për zonat malore të Amerikës Latine dhe Afrikës, ndodhet në fakt në kodrat pranë Santa Barbaras në Kaliforni.

Ferma Good Land Organics po rrëzon një mit të vjetër se kafeja mund të kultivohet vetëm në lartësitë e brezit ekuatorial, duke krijuar një plantacion në zonën bregdetare të Kalifornisë.

"Janë kushte unike kultivimi falë Oqeanit Paqësor, klimës së freskët që vjen në shkretëtirë, e cila sjell shumë mjegull”.

Pronari i fermës Jay Ruskey parashikon që kjo industri do të përjetojë në të ardhmen bumin që u vërejt në industrinë e verës disa dekada më parë.

Por përveç kultivimit të suksesshëm në fermë, kafeja duhet të kalojë edhe një provë tjetër të rëndësishme: atë të shijes në një filxhan kafeje për klientin. Në bazë të vlerësimeve nga konsumatorët, kafeja e Kalifornisë ka marrë notë pozitive në 91% të rasteve.

Matt Delarosa, pronar kafeneje në San Diego, thotë se shija i përngjan kafesë së kultivuar në Amerikën Latine:

"Më la pa mend, pasi gjithë jetën e kisha menduar kafenë si një bimë që kultivohet në brezin ekuatorial”.

Duke qenë se kultivimi bëhet në një sipërfaqe të vogël dhe jo në plantacione masive, kafeja e prodhuar në Kaliforni është mjaft e shtrenjtë. Por megjithë çmimin më të lartë, kafeja është shitur pa problem.

Por kultivimi në Kaliforni nuk është proces i lehtë. Në mungesë të shirave që bien në brezin ekuatorial ku kultivohet tradicionalisht kafeja, në Kaliforni kultivimi kërkon vaditje për të përballuar thatësirën.

"Po përpiqemi të fillojmë një sektor të ri. Shpresojmë që të jetë një sektor i fuqishëm, që brenda një dekade Kalifornia të shndërrohet në një rajon të mirënjohur për kultivim kafeje”.

Fermeri Jay Ruskey ka në plan të futet në partneritet me ferma të tjera në brigjet e Kalifornisë për ta shndërruar kultivimin e kafesë në operacion në shkallë të gjerë.

XS
SM
MD
LG