Lidhje

Vazhdon fushata për Shtëpinë e Bardhë


Kandidatët për postin e presidentit edhe këtë fundjavë do të vazhdojnë takimet e tyre me grupet mbështesin në kampet e tyre politike. Konkurrentët demokratë janë në Minesota për të adresuar takimin e përvitshëm veror të Komisionit Kombëtar Demokrat. Nga ana tjetër kandidatët republikanë po përcjellin mesazhin e tyre nëpër grupet mbështetëse në mbarë vendin.

Kandidatët demokratë janë në Minesota në një takim dy ditor që filloi herët të premten. Favoritja e Partisë Demokrate, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, ishte mes të parëve që mori fjalën.

“Nuk duhet harruar çfarë kemi trashëguar nga republikanët: krizën më të rëndë ekonomike që nga koha e depresionit. Falë punës dhe sakrificës së popullit amerikan dhe udhëheqjes së presidentit Obama, tani jemi në këmbë përsëri.”

Por, gjatë një konference shtypi më vonë, zonja Clinton përsëri u pyet rreth përdorimin të emailit privat gjatë kohës që shërbente si Sekretare e Shtetit.

“Asnjëherë nuk kam dërguar apo marrë materiale të quajtura sekrete. Kjo pyetje po shpeshtohet pasi pyetje të tilla rreth sekreteve gjithmonë bëjnë zhurmë.”

Zonja Clinton tha se ndërsa Departamenti i Shtetit i jep fund procesit të verifikimit, do të bëhet e qartë se ajo nuk ka bërë asnjë gabim.

Ish guvernatori i Rhode Island, kandidati demokrat Lincoln Chafee, vlerësoi arritjet e administratës së presidentit Obama dhe tha se ai do të vazhdojë të luftojë për paqen.

“E kam përjetuar kohën e Luftës së Vietnamit dhe nuk dua të shoh gjeneratat e ardhëshme që të kalojnë përmes konflikteve të pafundme.”

Ndërkohë, kampi republikan po flet për forcimin e ushtrisë amerikane dhe udhëheqjes globale.

Të premten në Charleston të Karolinë së Jugut, senatori republikan Marco Rubio u përqendrua tek Kina.

“Nëse zgjidhem, do të heq shkurtimet në ushtri dhe rikthej buxhetin e Pentagoni në nivelet e duhura. Kjo do të na lejonte të neutalizojmë kërcënimet që vijnë nga rritja me shpejtësi e forcës dhe aftësisve të Kinës.”

Po ashtu në Charleston guvernatori i Viskonsinit Scott Walker, foli për planin e tij për rivendosjen e rolit udhëheqës amerikan në botë.

XS
SM
MD
LG