Lidhje

Refugjatët më në fund në Gjermani


Austria dhe Gjermania hapën kufijtë e tyre sot për mijëra emigrantë që udhëtojnë me autobuza, trena, ose më këmbë drejt Austrisë dhe në vazhdim drejt Gjermanisë.

Megjithatë, shefi i policisë hungareze tha se nuk do të ofrohen më autobuzë drejt kufirit austriak për emigrantët.

Koordinimi ndërmjet vendeve të BE-së

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë një qëndrim të përbashkët për fluksin e papreçedent të emigrantëve. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, paralajmëroi se prurjet e emigrantëve do të vazhdojnë dhe bëri thirrje për një përqasje të bashkuar evropiane.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, tha se vuajtjet e emigrantëve dhe kostoja në rritje njerëzore ishin një alarm zgjimi për Evropën që t’i japë zgjidhje krizës më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mbërritja në Austri dhe Gjermani

Trenat të mbushur me refugjatë mbërritën më në fund sot në Gjermani pas disa ditë vonesash në stacionin Keleti të Budapestit në Hungari.

Njoftimet nga Gjermania dhe Austria thonë se trenat e parë me refugjatë u larguan nga Austria për në Gjermani sot, disa orë pasi ata u morën me autobuzë nga Budapesti për në kufirin austriak.

Mijëra emigrantë po hyjnë tani në Austri. Kjo është një arritje për ta pas një jave pasigurie rreth statusit të refugjatëve që kërkojnë azil brenda kufijve të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët austriakë thanë të shtunën se disa mijëra kanë kaluar në Austri ku u pritën me paketa ndihmash dhe një strehë për të fjetur, ndërkohë që shumë prej tyre shpresojnë të vazhdojnë udhëtimin.

“Kemi dëgjuar që Gjermania do të pranojë të gjithë emigrantët që ndodhen në Budapest, megjithëse nuk jam i sigurtë,” thotë një emigrant i sapombërritur në Austri.

Ndërkohë që emigrantët mbërrinin në Austri, ministrat e jashtëm të BE-së ishin mbledhur në Luksemburg për të gjetur mënyrën e menaxhimit të prurjeve të vazhdueshme të refugjatëve.

“Sigurisht që e mbështesim idenë e kuotave, madje Austria e kërkon një gjë të tillë, pasi për momentin kemi refugjatë sa për 18 vende të BE-së së bashku. Nuk mund të vazhdojë kështu. Duhen kuotat, dhe të përqëndrohemi jo vetëm tek vendet tranzit, por tek të gjitha vendet që po ndikohen”, u shpreh ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz.

Emigrantët që arritën të largohen dje nga stacioni i trenit në Budapest, filluan të ecin me këmbë drejt Gjermanisë përpara se Hungaria të vendoste autobuzë drejt kufirit që ndodhet rreth 480 kilometra larg.

Një emigrant thotë se u ka mbetur vetëm shpresa për një jetë më të mirë.

“Nuk kemi asgjë me vete. Jemi të lodhur dhe të uritur. Shpresojmë të gjithë që e ardhmja që na pret do të jetë më e mirë,” thotë Osama Shahmas, refugjat nga Siria.

Shumica e refugjatëve shpresonin të shkonin në Gjermani, përpara se të bllokoheshin në Hungari, ku u munduan t’i shpëtonin ndalimit.

Udhëheqësit francezë, gjermanë dhe italianë janë shprehur se duhet të ketë një shpërndarje të drejtë të detyrueshme të refugjatëve nëpër Bashkimin Evropian, por deri më tani pak vende e kanë mbështetur këtë ide.

Më 14 shtator, Bashkimi Evropian planifikon të zhvillojë bisedime emergjence për çështjen e refugjatëve.

XS
SM
MD
LG