Lidhje

Ngrohja globale dhe peshkimi në Groenlandë


Shkencëtarët dhe banorët e Groenlandës thonë se ngrohja e klimës po krijon vështirësi për peshkimin tradicional. Shkurtimi i stinës së dimrit paraqet sfida për përdoruesit e slitave në ekspeditat e tyre të peshkimit, ndërsa shkrirja e akullit në oqean ja vështirëson lundrimin barkave të vogla.

Peshkimi është jetik për ekonominë e Groenlandës.Në vitin 2014 ai zuri mbi 90 për qind të eksporteve të vendit. Por me rritjen e temperaturave akulli i Groenlandës është duke shkrirë dhe ndikimin po e ndjen industria e peshkimit.

Fjordi i akullt Ilulissat që ndodhet në brigjet perëndimore të vendit, rreth 250 kilometra në veri të qarkut arktik, po shkrihet.

Sipas grupit monitorues të klimës së Groenlandës, fjordi i akullt është pakësuar kaq shumë, saqë akullnaja Sermeq Kujalleq tani po shkrin në tokë, në vend të detit, duke krijuar copa më të vogla akulli se sa ajsbergët e mëdhenj, që dikur formoheshin kur akullnajat shpërbëheshin në oqean. Mia Lindenhann, banore:

"Kur unë isha fëmijë, akullnajat ishin më të mëdha. Nuk kishte shumë copra akulli” thotë Mia, e cila banon në qytezën Illulissat.

Illimanaq është një fshat i vogël, me vetëm 50 banorë, që ndodhet pranë fjordit Ilulissat. Puna e vetme me të cilën merren ata është peshkimi dhe gjuetia.

Ata filluan t’i dallojnë ndryshimet klimatike, kur kisha e fshatit, e ndërtuar mbi tokë të ngrirë, filloi të fundosej gradualisht. Regina Johansen banon në Illimanaq.

"Në verë është më ngrohtë dhe në dimër më ftohtë. Vitin e kaluar nuk patëm akull në port, por këtë vit do të kemi në Gjirin Disko, një pikë turisitike popullore në brigjet perëndimore të Groenlandës. Por akulli nuk është i mjaftueshëm për të peshkuar mbi të”.

Metoda tradicionale e peshkimit në Groenlandë realizohet kur akulli ka shtresë të trashë dhe peshkatarët shkojnë me slita të tërhequara nga qentë për të peshkuar përmes vrimave të krijuara në akull.

Birger Poppel, profesor në Universitetin e Groenlandës, specialist për ndryshimet klimatike, thotë se periudha vjetore e trashësisë së akullit nuk zgjat më sa më parë.

"Temperatura më të ngrohta të ujit do të thonë se akulli do të bëhet solid më vonë dhe se ai do të thyhet më shpjet. Pra, periudha kur peshkimi dhe gjuetia në akull është e sigurtë, po shkurtohet”, thotë profesori Birger Poppel.

Ai shton se në disa komunitete, ku barkat e vogla të peshkimit nuk janë të pajisura siç duhet për akullin në oqean, janë duke përjetuar probleme tashmë.

"Mund të mendosh se mund të peshkosh me anije, por kjo është e parealizueshme. Kur akulli fillon të shkrihet, përdorimi i anijeve për të peshkuar nuk është më i sigurtë”,thotë profesori.

Ai thotë se komunitetet tradicionale të peshkimit dhe gjuetisë mundet t’i ndjejnë më tepër pasojat e shpejtimit të ndryshimeve klimatike në situatën e tyre financiare.

Fshatra si Illimanaq, ku të ardhurat dhe mënyra e jetesës bazohet tek peshkimi dhe gjuetia tradicionale, do të duhet të përshtaten në dekadat e ardhshme, në mënyrë që të mund të mbijetojnë.

Instituti Metereologjik i Danimarkës parashikon që temperatura e përgjithshnme në Groenlandë do të rritet me 7-8 gradë Celsius deri në vitin 2080.

XS
SM
MD
LG