Lidhje

Aplikacione të posaçme për telefonat inteligjentë


Kompanitë e teknologjisë po krijojnë gjithnjë e më shumë aplikacione për paisjet e lëvizshme, duke ofruar një seri shërbimesh sipas kërkesave për ta bërë jetën më praktike. Me një prekje të telefonit mund të gjesh një mjet për të udhëtuar ose një masazh në shtëpi. Qyteti Los Anxheles është selia kryesore e shumë prej këtyre kompanive.

Samuel Davis shkoi në Los Anxheles duke tentuar t’i futet botës së spektaklit. Kur nuk është në skenë, ai është në kamionin e tij.

“Më pëlqen të aktroj në komedi, por dua të krijoj më shumë të ardhura në kohën e lirë.”

Këto të ardhura shtesë vijnë nga punësimi si shofer për një biznes të quajtur Buddytruk. Është një aplikacion që të lidh me shoferë vendas që kanë një kamion për të ndihmuar në transportimin e gjërave. Koha mesatare e ardhjes së një kamioni është gjysëm ore.

“Jemi rritur me 1 mijë dhe 2 mijë përqind që nga dita kur filluam punën.”

Buddytruk është një ndër aplikacionet e shumta që ofrojnë shërbime sipas kërkesës. Ato variojnë që nga udhëtimi i përbashkët me një mjet, tek shpërndarja e ushqimit nëpër shtëpi, dhe deri në shërbime masazhi në shtëpi, si p.sh. kompania Soothe. Që nga krijimi në vitin 2013, kompania e masazheve u shtri në 13 qytete brenda 12 muajve. Merlin Kuaffman është themelues i kompanisë “Soothe”.

“Veçoria është shpejtësia e marrjes së një shërbimi. Kompania e taksive Uber përcaktoi drejtimin e zhvillimit dhe tashmë është bërë normë.”

“Shtyp një buton dhe gjithçka zgjidhet, që nga pagesa, transporti, shpërndarja. Në më pak se një orë merr çfarë dëshiron.”, thotë Michael Hammond, klient aplikacioni.

Eksperti i menaxhimit të teknologjisë, Terry Kramer, thotë se njerëzit në mbarë botën posedojnë më shumë celularë inteligjentë se kurrë më parë.

“Është krijuar një stuhi perfekte për një rritje dramatike të aplikacioneve.”

Ai thotë se njerëzit tregohen më të gatshëm të japin të dhënat e tyre në shkëmbim të marrjes së shërbimeve, dhe se më shumë teknologji po krijohen për aplikacione celularësh. Megjithëse është një industri në fillimet e saj, zoti Kramer thotë se këto lloj aplikacionesh po trondisin biznesin tradicional të dyqaneve.

“Nëse tregohen të zgjuar, do t’i përfshijnë këto teknologji në biznesin e tyre më tradicional. Nëse jo, bizneset tradicionale do të zhduken.”

Sipërmarrësit thonë se aplikacionet për shërbime sipas kërkesave do të ofrojnë më shumë alternativa për konsumatorët dhe do të kursejnë kohën e tyre.

XS
SM
MD
LG