Lidhje

SHBA i kërkon Greqisë të mos lejojë avionët rusë drejt Sirisë


Greqia ka marrë një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara për të mos lejuar avionët rusë të fluturojnë në hapësirën ajrore greke drejt Sirisë, njoftoi sot në Athinë një zëdhënës i ministrisë së Jashtme greke. Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, zëdhënësi tha se kërkesa po merret në shqyrtim.

Agjensia ruse e lajmeve RIA Novosti kishte njoftuar më herët se Greqia e ka refuzuar kërkesën e SHBA-së. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Moska nuk do të japë asnjë reagim zyrtar derisa të ketë një vendim nga Athina.

Rusia ka kërkuar të zhvillojë fluturime të rregullta drejt Sirisë deri më 24 shtator.

Greqia është përpjekur të krijojë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë gjatë krizës ekonomike që për pak e nxori vendin nga zona e monedhës Euro.

Rusia është aleate e hershme e Presidentit sirian Bashar al-Assad, regjimin e të cilit e kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore, të cilat dëshirojnë një ndryshim politik.

Kërkesa e Uashingtonit drejtuar Athinës pason shqetësimet që SHBA i shprehën drejtpërdrejt Moskës të shtunën, lidhur me lajmet sipas të cilave Rusia synon krijimin e një pranie të madhe ushtarake në Siri për të fuqizuar regjimin e Assadit.

XS
SM
MD
LG