Lidhje

Debati mbi ndihmën amerikane për refugjatët


Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë se do të pranojnë 10 mijë imigrantë sirianë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Kjo shifër shënon një rritje, nga më pak se 2 mijë që u lejuan vitin e fundit fiskal. Por shumë kritikë thonë se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë më shumë.

Refugjatët nga rajonet e shkatërruara nga lufta vazhdojnë të shkojnë në Evropë për strehë, ushqim dhe trajtim mjekësor.

“U përpoqëm të iknim dje me një gomone por ajo u fundos. Një anije peshkimi na shpëtoi dhe na çoi tek roja bregdetare. Megjithatë ne do të përpiqemi përsëri. Nëse dështojmë do të përpiqemi përsëri e përsëri.”

Vende si Gjermania dhe Austria kanë mirëpritur shumë nga të shpërngulurit dhe komuniteti botëror po i kërkon Shteteve të Bashkuara të shtojnë ndihmën.

Këtë javë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se Amerika do të pranojë më shumë refugjatë sirianë gjatë vitit në vazhdim.

“Presidenti po udhëzon ekipin e tij për ta shtuar këtë numër vitin e ardhshëm dhe ka informuar ekipin se do të donte të pranoheshin, ose të bëhen përgatitje për të pranuar të paktën 10 mijë refugjatë gjatë vitit të ardhshëm fiskal.”

Disa ligjvënës amerikanë po i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë të hapë dyert për deri në 65-mijë refugjatë sirianë, ndërsa grupet fetare thonë se Shtetet e Bashkuara kanë vend për qindra mijëra refugjatë.

Në organizatën Human Rights Watch, drejtori ekzekutiv Kenneth Roth, është veçanërisht kritik ndaj përpjekjeve të administrates, duke i quajtur ato një lëmoshë.

“Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë sa duhet. Edhe propozimi i fundit i sekretarit John Kerry për të rritur pranimin vjetor të refugjatëve nga 75 mijë në 100 mijë dhe jo të gjithë mund të jenë nga Siria. Kështu që rritja prej 25 mijë përkundrejt një popullate refugjatësh sirianë prej 4 milionë – është lëmoshë. "

Por ndërsa zoti Roth është shumë kritik ndaj përgjigjes amerikane, ai e rezervon kritikën më të ashpër për vendet fqinje me Sirinë.

“Shtetet arabe të Gjirit Persik nuk kanë marrë asnjë prej tyre edhe pse janë vende të pasura, kanë të njëjtën kulturë dhe të njëjtën gjuhë. Mendja ta do që duhet të kishin hapur dyert.”

Kjo quhet kriza më e rëndë e imigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, me më shumë se 7 milionë sirianë që janë shpërngulur nga lufta civile. Zoti Roth thotë se Shtetet e Bashkuara janë një vend i pasur dhe kanë burime për të luajtur një rol më të madh në krizën e imigrantëve.

XS
SM
MD
LG