Lidhje

Diunna Greenleaf, zë i fuqishëm në muzikën Blues


Muajin e kaluar revista Living Blues e shpalli këngëtaren Diunna Greenleaf si Artisten më të mirë të vitit për muzikën Blues. Por ndërsa këngëtarja nga Hjustoni është bërë mjaft e njohur në disa vende të tjera, ajo ende nuk ka siguruar një bazë të gjerë admiruesish në Shtetet e Bashkuara. Ajo shpreson që karriera e saj të avancojë me disa plane ambicioze albumesh dhe turne në gjithë vendin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus sjell më shumë hollësi nga Hjustoni.

Disa admirues të saj e kanë quajtur këngëtaren Diunna Greenleaf “një forcë të natyrës” por ajo ia atribuon Teksasit të paktën pjesërisht, stilin e guximshëm të të kënduarit.

“Në Teksas duhet të kesh një zë tingëllues dhe të qartë e të fuqishëm”.

Prindërit e saj ishin këngëtarë të njohur të muzikës ungjillore por ata i inkurajuan fëmijët e tyre që të eksplorojnë të gjitha zhanret e muzikës.

“Ne notonim në një oqean muzikor”.

Greenleaf u bë këngëtare profesioniste vetëm në fund të viteve ’90, pasi kishte mbaruar universitetin dhe kishte shërbyer 19 vjet në ushtrinë amerikane. Por suksesi i saj në muzikën Blues i ka bërë të pakënaqur disa nga admiruesit e muzikës së saj ungjillore.

“Para disa muajsh, ma kthyen mbrapsht një ftesë në një koncert të made në një kishë, ku isha ftuar të këndoja, sepse isha vlerësuar shumë në muzikën blues”.

Ajo kompozon dhe shkruan tekstin e shumë këngëve të saj, duke filluar me hedhjen e mendimeve të saj në letër kur është e frymëzuar.

“Ndonjëherë mendimet vijnë në formën e poemave, ndonjëherë në formën e teksteve të këngëve”.

Ajo ka disa këngë të reja dhe ka dëshirë të inçizojë variante të disa këngëve klasike të artisteve femra të viteve ‘40s dhe ‘50.

“Kam material gati për tre disqe dhe dua t’i realizoj menjëherë, por është problemi i fondeve”.

Ndërkohë, e inkurajuar nga vlerësimi i revistës Living Blues, Diunna Greenleaf ka një kalendar të ngarkuar me grupin e saj Blue Mercy në gjithë Shtetet e Bashkuara si edhe në Kanada dhe Evropë.

XS
SM
MD
LG