Lidhje

Vështirësi në rekrutimin e policëve në Amerikë


Disa departamente policore në Shtetet e Bashkuara po hasin vështirësi në rekrutimin e punonjësve të rinj. Një nga arsyet, sipas tyre, është vëmendja e madhe që u ka kushtuar media abuzimeve nga policët kohët e fundit, gjë që i bën kandidatët për punësim të ngurojnë. Korrespondentja Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelosi ku përgatiten rekrutët për departamentin e policisë së qytetit.

Dita e parë e kursit njihet edhe si “E hëna e zezë”. Toger Pete Enxiso është instruktor.

“Është mënyra si i mirëpresim në akademi, për të kuptuar më mirë karakterin e tyre dhe për t’u treguar se çfarë kërkon kjo punë”.

Christian Davis, i diplomuar i akademisë policore

“Kjo punë nuk është për të gjithë. Ditën e parë më kapën të vjellat vetëm nga stresi”.

22-vjeçari Christian Davis thotë se tre vetë nga klasa e tij e lanë shkollën ditën e parë.

Toger Pete Enxiso:

“Stresi që hasin në akademi është i ngjashëm me stresin që do të hasin gjatë punës në terren”.

Stresi është rritur këto kohë në këtë profesion nga ndjenja e frikës dhe mosbesimit që ushqejnë disa komunitete, pas vrasjeve të disa civilëve nga policë, duke çuar në protesta të dhunshme në mbarë vendin.

“Është moment i vështirë për imazhin e policit, prandaj mendoj se njerëzit ngurojnë të zgjedhin këtë profesion, pasi nuk duan t’i nënshtrohen kësaj vëmendjeje negative”.

Këto ndjenja e bëjnë edhe më të vështirë procesin e ndërlikuar të gjetjes së kandidatëve të aftë për t’u bërë policë. Kandidatët duhet të kalojnë kontrollin e biografisë si dhe provat fizike dhe psikologjike.

Departamenti i Policisë në Los Anxhelos thotë se vetëm 3% e kandidatëve që aplikojnë zgjidhen dhe arrijnë të diplomohen. Një shifër e ngjashme vërehet edhe në departamente të tjera:

“Ne kërkojmë individë të fortë fizikisht. Por gjithashtu ata duhet të jenë në gjendje të shprehen mirë, të përfaqësojnë si duhet departamentin, të kenë logjikë të shëndoshë për të reaguar në situata të vështira, kur e gjejnë veten në rrezik”.

Pavarësisht nga vështirësitë, ka nga ata që arrijnë të diplomohen, si Christian Davis:

“Më e rëndësishmja është t’i futesh me shpirt. Me pak fjalë duhet të kesh dëshirën që t’i shërbesh komunitetit dhe të punosh për ta përmirësuar”.

Jim McDonnell, Shefi i Policisë së Los Anxhelosit

“Në asnjë profesion tjetër nuk do të ballafaqohesh me një kërkesë më të madhe përgjegjësie. E kemi parë vetë në lajme gjatë këtij viti. Disa profesione po bëhen më të lehta me kalimin e viteve, por ruajtja e rendit bëhet edhe më e vështirë”.

Policët thonë se për të fituar besimin e komunitetit duhet forcë mendore dhe një zemër e madhe si dhe sjellje e thjeshtë në detyrën e përditshme.

XS
SM
MD
LG