Lidhje

Uashingtoni përgatitet për vizitën e Papës


Javën e ardhshme Papa Françesku, udhëheqësi i Kishës Katolike, do të bëjë një vizitë historike në Shtetet e Bashkuara. Në Uashington, Papës do t'i rezervohet një pritje si ajo e kryetarëve të shteteve - atë do ta presë Presidenti, si dhe do të mbajë një fjalim para Kongresit. Në New York, Papa do të mbajë një meshë në Memorialin e 11 shtatorit, tek Qendra Botërore e Tregtisë, ndërsa në Filadelfia ai do të vizitojë një qendër korrektimi. Vizita e Papës është një gëzim i madh për rreth 69 milionë katolikët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Por, siç thuhet në materialin në vazhdim, nuk janë vetëm besimtarët ata që e presin me nderime Papën që gëzon popullaritet të madh.

Në kishën më të madhe katolike të Shteteve të Bashkuara, Bazilika e Uashingtonit, punëtorët janë duke bërë me urgjencë përgatitjet e rastit: riparojnë dhe lyejnë dyert, ndërrojnë llampat dhe madje po ngrenë edhe një altar të ri. Janë përgatitjet e fundit për vizitorit më të rëndësishëm të kësaj kishe. Papa Fraçesku nuk ka mbërritur ende në Washington, por suveniret po mbushin raftet e dyqanit të dhuratave.

“Kemi kërkesa të papara; deri tanë kemi bluza, filxhanë, tespie, fletëpalosje me lutje…Ndoshta do të shesim nga 100 mijë copë për secilin prej këtyre objekteve. Presim që të gjithë do të duan të marrin me vete një kujtim nga vizita e Papa Françeskut."

Dyqani i dhuratave i kishës po shet vizatime në shumë forma të Papës që gëzon popullaritet të madh. Është edhe një bluzë me stampën zyrtare të Papës… Në aspektin jozyrtar, ngjarja e madhe ka nxitur imagjinatën e krijuesve të suvenireve; ata kanë krijuar shumë objekte në miniaturë, statujëza, e madje edhe një birrë e quajtur "Papa".

Është e lehtë të kuptosh gëzimin e madh që ka njallur kjo ngjarje. Vizita e fundit e një Pape në Shtetet e Bashkuara ishte në vitin 2008.

Pas shërbesës fetare tek Bazilika, turmat e njerëzve do të mblidhen tek Universiteti Katolik, për të dëgjuar një predikim të shkurtër, si dhe të marrin bekimin e Papës. Por pjesëmarrja nuk do të jetë e lirë për të gjithë. Parprakisht do të jepen 25 mijë bileta vetëm për anëtarët e kongregacionit; priftërinj dhe ish priftërinj, si dhe të ftuar specialë.

Besimtarë dhe jo-besimtarë do të mund ta shohin Papën më vonë, pasi ai të takohet me Presidentin Obama, kur të kalojë me autokolonë nëpër Parkun Kombëtar të Washingtonit. Ose do të mund ta shohin Papën kur ai të dalë nga Kapitoli, pasi të ketë folur para anëtarëve të Kongresit.

Pas Uashingtonit, Papa Françesku do të shkojë në Nju Jork, ku do të ai vizitojë Kombet e Bashkuara dhe do të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndalesa e tretë dhe e fundit e tij në Shtetet e Bashkuara ëshë Filadelfia. Atje ai do të vizitojë një qendër korrektimi, ku të burgosurit do t'i dhurojnë Papës një dhuratë të veçantë - një fron të gdhendur me duart e tyre.

XS
SM
MD
LG