Lidhje

Tregu i shtëpive luksoze në Los Anxheles


Flitet për një kategori të re në tregun e shtëpive. Kemi të bëjmë me enklavën e të famshmëve dhe milionerëve të zonës së Berverly Hills dhe përqark. Kjo kategori e quajtur ultra luks po njeh rritje të çmimeve. Vila të mëdha prej afro 2 mijë metra katërorësh kapin çmimet e rreth 20 milion dollarëve a më shumë.

Kur një vilë e zakonshme nuk të mbush syrin, kjo nuk është problem për pasanikët që kërkojnë atë që tregu i shitblerjes së shtepive i quan, vila ultra luksoze.

Në Beverly Hills dhe përreth ka ndërtime të shumta të vilave të mëdha luksoze. Shpesh të quajtur “giga” vila, këto ndërtesa po pushtojnë kodrat në zonat më të mira në Los Anxheles. Përveç amerikanëve, thonë agjentët imobilarë, kërkesa janë shtuar edhe nga blerësit e huaj.

Padyshim, njerëzit tërhiqen edhe nga magjia dhe ekstravaganza që ofron Hollivudi.

Të pasurit e dinë se çfarë duan dhe ndërtuesit janë të gatshëm të ofrojnë së bashku me vilat edhe pishina të jashtëzakonshme, dhoma të lojrave apo kinema brenda shtëpive luksoze.

Ekspertët thonë se duket se nuk ka më shtëpi që të jetë tepër e madhe dhe se rritja e çmimeve nuk po njeh ngadalësim. Michael Corbutt, korrespondent i revistës Extra dhe drejtues i një programi televiziv në kanalin NBC, thotë se bota sot ka më shumë miliarderë sa asnjëherë më parë.

“Sipas Realtor.com tani, kategoria e vilave ultra luksoze në Beverly Hills është rritur 19.6 përqind krahasuar me vitin vitin 2006.”

Joyce Rey është drejtore ekzekutive me kompaninë gjigande Coldwell Baker. Ajo ka një eksperiencë 40 vjeçare në tregun e shitblerjes së shtepive. Ajo thotë se po të krahasosh shitjet në zonën perëndimore në Los Anxheles nga viti 2010 – 2014, ka patur një rritje prej 57 përqind në shitjen e banesave që tejkalojnë çmimin prej 5 milionë dollarësh. Zonja Rey thotë se 2015 ka qënë vit i mbarë.

“Tregu këtu po arrinë kulmin. Nuk kemi parë kurrë një bum të tillë. Viti i kaluar shënoi rekorde dhe tani kemi 67 përqind rritje krahasuar me vitin 2014. Është një rritje e jashtëzakonshme për shtepitë mbi 20 milionë dollarëshe. Kemi blerës nga mbarë bota. Kërkesat kanë nxitur ndërtime kudo.”

Ndërtimet ultra luksoze me çmim mesatar fillestar prej 7-8 mijë dollarë për metër katëror, në një farë mënyre janë edhe si loja e bixhozit për kompanitë e ndërtimit.

Gazetari dhe autori i tre librave mbi tregun e shtepive, Michael Corbutt, thotë se shtepitë me sipërfaqe prej afro 2 mijë metrash katëror konsideroheshin gjigande disa vite më parë, ndërsa shepitë e sotme duhet të jenë edhe më të mëdha për të plotësuar kërkesat e blerësve.

“Koncepti i ndërtimit në Los Anxheles tani është: po ndërtove blerësit do të vijnë. Ndërtuesit po shpresojnë të shesin vila që kapin vlerën nga 20 deri 50 milionë dollarë. Madje, ajo që cilësohet si më e shtrenjta në botë së shpejti do të dalë në treg me çmimin prej 500 milionë dollarë.”

Por sa do të zgjasë kjo prirrje? Zoti Corbutt thotë se pritet të ketë një zbutje të tregut si rezultat i gjendjes së tanishme ekonomike në botë.

“Tregu i shtëpive ultra luksoze aktualisht po nxitet nga blerësit e huaj. Zhvillimet ekonomike në Kinë po sjellin disa paralajmërime mbi këtë prirje. Me fuqizimin e dollarit do të ketë një farë balancimi të tregut. Do të ketë një ulje të kërkesave nga blerësit e huaj.”

Ndërtuesi Albert Elkouby kohët e fundit ndërtoi një ng vilat më të përfolura me sipërfaqe mbi 6 mijë metra katëror në Beverly Hills që ka përballë bulevardin Sunset. Vila sot ka çmimin më të lartë në treg, ajo kushton 72 milion dollarë. Ai bleu ndërtesën e papërfunduar nga pronari i mëparshëm dhe për 5 vjet e rindërtoi atë. Vila ka 11 dhoma gjumi, restorant për 200 njerëz, 18 banjo, kinema, shtëpi të ndarë mysafirësh, dhomë lojrash, pishinë dhe një garazh nëntokësor ky mysafirët mund të parkojnë 16 makina ndërkohë që në oborrin e saj mund të parkohen 50 vetura.

Vilat ultra luksoze zakonisht e tejkalojnë buxhetin e mdërtuesve ndërkohë që materialet për ndërtimin e tyre vijnë nga vende të ndryshme si Brazili apo Italia.

“Kam investuar shumë para në këtë shtëpim dhe ajo do të shitet me një çmim nga 70 deri 72 milionë dollarë. Kjo ndërtesë ka gjithçka dhe gjithçka në të është më e mira që ekziston.”

Pavarësisht shtimit të shqetësimeve rreth kushteve të ekonomisë globale, analistë të tjerët të industrisë së ndërtitimit kanë besimin se gjithnjë do të ketë një blerës për këtë lloj shtepie dhe se endërra amerikane do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG