Lidhje

Kosova përballë ekstremizmit


Kosova dhe ekstremizmi i dhunshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:58 0:00

Kosova dhe ekstremizmi i dhunshëm

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartoi një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”. Strategjia synon bashkërendimin e përpjekjeve për t’u përballur me shqetësimet që ka nxitur fakti se vendet e Ballkanit përfshirë edhe Kosovën, janë zonë e origjinës së luftëtarëve të huaj në Lindjen e Mesme.

Kosova dhe ekstremizmi i dhunshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:58 0:00

Qytetarët e parë të Kosovës që u janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak janë regjistruar nga mesi i vitit 2012. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare në Siri që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, thotë majori Luan Keka nga drejtoria e departamentit kundër terrorizmit në policinë e Kosovës, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

“Që nga ajo kohë e deri sot, sipas informacioneve që ne posedojmë, e kemi një numër diku rreth 300 qytetarë të Republikës së Kosovës që i janë bashkëngjitur atij konflikti. Momentalisht, sipas informatave që ne posedojmë, numri sillet në rreth 100 perona që janë ende në ato zona të konfliktit, përkrah këtyre organizatave apo në IS, siç po quhet tash. Nga ky numër, sipas informatave që ne posedojmë, diku rreth 40 janë të deklaruar të vdekur”, tha zoti Keka.

Skënder Përteshi nga Qendra për studime të sigurisë, thotë se ka një rënie të numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ato konflikte.

“Nëse e shikojmë trendin se sa qytetarë kanë shkuar në luftë brenda muajit, gjatë vitit 2012 – 2013 dhe sa shkojnë tash, për një përqindje shumë të madhe ka rënë”, tha zoti Përteshi.

Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi tha se zvogëlimi i numrit është rrjedhojë e sqarimit të situatës reale në Siri.

“Njerëzit duke mos e ditur realitetin e mirëfilltë, duke mos e ditur atë që është qenësore, duke mos e ditur se çfarë në fakt po ndodhë atje, janë munduar dikujt- dikujt t’i tregojnë se me luftue për Zotin, është sevap i madh, është flijim i madh, fitohet xheneti. Tani, këto kanë rënë në ujë. Po e dinë njerëzit se me e luftue vëllai vëllain, nuk fitohet xheneti. Më e mbytë vëllai vëllain, po e dinë, nuk është xhihad. Është anti xhihad. Prandaj kur janë marrë vesh këto, kur janë sqaruar mirë dhe gjithandej, atëherë edhe numri i tyre ka rënë dukshëm”, tha zoti Rexhepi

Por, cilët janë faktorët që kanë ndikuar në përfshirjen e qytetarëve në ato luftëra.

“Faktori kryesor është definitivisht niveli i ultë i edukimit. Faktori i dytë është bindja fetare. Domethënë mënyra qysh ata i kanë marrë mësimet fetare, nuk është e duhura dhe nuk është ajo e drejta qysh sipas dijetarëvë islam, duhet të promovohet. Dhe pak a shumë qytetarët tanë, nga keqinformimi dhe mungesa e informacioneve të duhura fetare, informohen gabimisht nga adresa të huaja, nga adresa jo të drejta dhe marrin një vendim të tillë. Faktori i tretë është edhe besueshmëria në institucione dhe humbja e shpresës në vend. Ndër faktorët tjerë është edhe zhvillimi ekonomik dhe papunësia por edhe izolimi i vendit”, tha zoti Përteshi.

“Faktorët kryesor janë brengat ekonomike-sociale. Ka edhe faktorë edhe politik e ideologjik që janë të përfshirë. Pastaj mund t’i klasifikojmë si papunësi, edukimi i ultë, mungesa e perspektivës, kërkimi për një identitet të të rinjve e faktorë të tjerë”, tha zoti Keka.

Zoti Rexhepi thotë se thirrjet në emër të besimit ishin përpjekje për keqpërdorimin e porosive që nuk kanë të bëjnë me të.

“Sepse, njerëzit tanë, të rinjtë tanë nuk janë bërë dje mysliman. Përkundrazi te ne ekziston një traditë e gjatë, madje madje mbi gjashtë shekullore. Por, këtu janë bërë disa keqpërdorime, janë bërë disa keqinterpretime. Disa e kanë marrë shumë afër zemrës, po them në thonjëza, çështjen e xhihadit dhe tash nuk mund të shkojmë të gjithë të luftojmë në xhihad se, tutem mos na bëhet pak tepër neve, se jemi popull i vogël”.

Ai thotë se Bashkësia Islame ka propozuar në kuadër të strategjisë kombëtare që të ketë pjesën e saj të punës.

“Para së gjithash do të kemi me tepër ligjërata, të cilat në shënjestër do ta kenë sidomos ekstremizmin, radikalizmin, dhunën, mos të them, terrorizmin, gjithçka që shkon në këtë linjë do ta kemi në qendër të vëmendjes, në qendër të hytbeve, të ligjëratave, në veçanti ditët e premte. Do të kemi tribuna publike gjithandej nëpër qendrat më të mëdha në të cilat do të debatojmë hapur me xhematin tonë, me njerëzit tanë, sidomos për këto elemente”, tha zoti Rexhepi

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizimin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Por, a paraqesin kërcënim luftëtarët e kthyer dhe sa është e kërcënuar Kosova nga ekstremizmi i dhunshëm?

“Pjesa më e madhe e qytetarëve tanë që janë kthyer, nuk kanë marra pjesë direkt në luftime, mirëpo kanë qenë pjesë e grupeve ekstreme, qoftë me apo pa dashje, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije. Nuk mund të gjykojmë, sepse nuk kemi prova të sakta për këtë, mirëpo këta janë kthyer nga një konflikt dhe çdo person që kthehet nga një konflikt, sjell me vete disa shkathtësi luftarake ose aspekte tjera psikologjike, të cilat mund të jenë të dëmshme për vendin. Në këtë rast, shteti normalisht i ka marrë masat dhe duhet t’i ndërmarr dhe të vlerësojë për një person të caktuar se çfarë rreziku ai mund të paraqesë për shoqërinë. Dhe në përputhje me vlerësimin e nivelit e rrezikut që bëhet nga institucionet e specializuara për këta persona, po ashtu duhet të merren masa nga shteti: qoftë të arrestohen, qoftë të merren me ta institucionet e specializuara, siç janë Ministria e punës dhe mirëqenies sociale, ose spitalet e caktuara apo psikologët apo institucione të tjera”, tha zoti Përteshi.

“Për momentin, vlerësohet rreziku jo i lartë nga sulmet terroriste edhe përkundër faktit se kohëve të fundit është vërejtur një trend i shtuar i propagandës, sidomos nga organizata terroriste ISIS, që përmes video postimeve ka drejtuar mesazhe kërcënuese në nivel global, rajonal dhe ndaj Kosovës dhe shteteve të Ballkanit. Ne këto kërcënime i trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe me përkushtim dhe mund t’ju sigurojë se deri më tani ja kemi dalë shumë mirë me trajtimin e tyre”, tha zoti Keka.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG