Grupe kriminale kanë nisur aktivitetin e tyre në zonat në jug të Shqipërisë ku gjatë këtij viti është dyshuar se kultivohej marijuanë.
Në Vlorë dhe në Tepelenë policia ka kryer operacionet e para ndaj trafikantëve. Në malësitë e Kurveleshit në Tepelenë policia ka bllokuar rreth 180 kilogramë marijuanë të paketuar dhe po hetohet grupi që e transportonte atë.
Sipas policisë së Gjirokastrës lënda narkotike u gjet në një stan malor të bagëtive të imta ndërsa dy persona të dyshuar arritën të largoheshin. Sipas policisë sasia e marijuanës së bllokuar është kultivuar këtë vit në këtë zonë.
Gjatë një tjetër operacioni në zonë e Lumit të Vlorës policia ka arrestuar tre persona, mes të cilëve njëri i plagosur me armë zjarri.Policia e Vlorës tha se nga hetimet paraprake, 3 shtetasit rezultojnë persona me precedentë të lartë kriminalë dhe anëtarë të një grupi që vepronte brenda dhe jashtë vendit.
Personat sipas policisë dyshohen për vepra penale si "Krime kundër personit” dhe “Trafikim narkotikësh”. Njëri prej personave, sipas policisë së Vlorës, rezulton person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 6 Vite Burg në Itali për "Trafikim Narkotikësh". Pista kryesore e dyshuar nga Policia e Vlorës është përgatitja e grupit të arrestuar për kryerjen e një grabitjeje me armë zjarri dhe me maska.
Policia e Vlorës tha se një tjetër grup personash është larguar gjatë operacionit të kontrollit dhe po punohet për kapjen e tyre. Ekspertët e policisë flasin për fillimin e një aktiviteti të rritur kriminal i cili përkon me përfundimin e fazës së vjeljes së marijuanës së kultivuar kryesisht në zonat malore dhe transportimin e saj.
Ekspertët thonë se kjo është faza më delikate pasi grupe kriminale të rrezikshme angazhohen në procesin e grumbullimit të marijuanës së kultivuar dhe transportimin e saj drejt Italisë dhe Greqisë. Këto grupe ,sipas ekspertëve të antidrogës kanë baza të fuqishme financiare,mjete moderne logjistike dhe përdorin armët për të siguruar rrugët e trafiqeve.
Pas bllokimit të kultivimit dhe goditjes në fshatinLazart të Gjirokastrës policia shqiptare u vu në kritika se nuk arriti të godiste disa nga grupet që organizonin këtë trafik. Edhe gjatë operacioneve të këtij viti goditjet e policisë kanë përfshirë kryesisht fermerë qe kultivonin marijuane ,por jo organizatorët e trafikut dhe financuesit në mjaft raste të vatrave të kultivuara shqip me marijuanë.