Lidhje

Filmi Wolf Totem


Regjisori Jean-Jacques Annaud, fitues i çmimit Oskar është i njohur për filmat e tij që kanë si protagonistë kafshët. Ai ka marrë çmime të shumta për filmat e tij “The Bear” dhe “Two Brothers”, një dramë me dy tigra këlyshë binjakë në Kamboxhia, të ndarë në lindje. Tani, Annaud e kthen kameran e tij tek një ujk nga Mongolia, në filmin “Wolf Totem”.

Në vitin 1967, Mao Zedong filloi Revolucionin Kulturor në Kinë. Nxënësit e qyteteve emëroheshin për të edukuar popullatën në zonat rurale. Chen Zhen, një student nga Pekini, u dërgua në një zonë të largët në Mongoli.

Ai nuk e priste asnjëherë se do të binte në dashuri me fushat e gjelbra mongole, barinjtë dhe armikun e tyre kryesor, ujkun mongolian, një kafshë grabitqare inteligjente, vdekjeprurëse për bagëtitë e fshatit e megjithatë, jetike për ekosistemin.

Regjisori Jean-Jacques Annaud e bazon filmin e tij në romanin autobiografik kinez “Wolf Totem”.

"Ajo që më pëlqeu në libër ishte përshkrimi i nevojës për balancë. Si jemi ne të gjithë të ndërlidhur. ”

Gati 60 vjet pasi ishte shkruar libri, Jean-Jacques Annaud u ftua nga qeveria kineze për ta përshtatur romanin në film dhe për të përcjellë mesazhin për mjedisin.

“Asnjëherë nuk i kam dëgjuar njerëzit të diskutojnë me kaq intensitet. Ata thonë “duhet të bëjmë diçka, ose do të vdesim.”

Në qendër të filmit është dashuria e Chen Zhen për ujkun këlysh që e shpëton nga vdekja. Ai përballet me zemërimin e fshatarëve të cilët nuk duan një ujk mes tyre, ndërsa autoritetet lokale spastrojë kopetë grabitqare nga zona, pasi duan ta zhvillojnë atë. Ashtu si në libër, filmi tregon se zhdukja e ujqve është shkatërrimtare për kullotat mongole.

“Kështu pa ujq, do të thotë se do të kemi shumë brejtës, shumë minj që dëmtojnë barin për delet. Ujqit janë shumë të rëndësishëm për ekosistemin tonë.”

Për të realizuar filmin, Jean-Jacques Annaud punësoi Andrew Simpson, një trajner i njohur i kafshëve. Të dy kaluan katër vjet në Kinë duke rritur dhe trajnuar tre breza ujqish mongolezë të kërcenin, vraponin dhe të aktronin para kameras.

“Janë një nga kafshët më të zgjuara me të cilat kemi punuar. Janë shumë inteligjentë. Kryesorja për një ujk është se ai mbështetet gjithmonë në instiktet e tij. ”

Trajnimi i kafshëve nuk ishte sfida e vetme për grupin realizues. Realizimi i filmit mbresëlënës erdhi me një çmim. Annaud dhe ekipi i tij duhet të filmonin shpesh në kushte të motit ekstrem.

“Ishim të gjithë bashkë në mes të dimrit, në mesin e asgjëje, diku në veri të Kinës, duke mbajtur ventilatorë për të krijuar erë në majë të malit, në minus 40 gradë celcius dhe... duke kënduar”.

Megjithë sfidat e realizimit, filmi “Wolf Totem”, i tejkalon pritshmëritë. Kina, dikur armiqësore ndaj regjisorit Jean-Jacques Annaud, duke e ndaluar filmin e tij të debatueshëm “7 Years in Tibet”, e ka përkrahur tani filmin “Wolf Totem” si favoritin e saj për Çmimin Oskar në kategorinë e filmit në gjuhë të huaj.

XS
SM
MD
LG