Talebanët janë zotuar të intensifikojnë sulmet ndaj objektivave amerikane duke e konsideruar si të “palogjikshëm” vendimin për ngadalësimin e tërheqjes së trupave nga Afganistani. Trupat amerikane në Afganistan do të përqëndrohen në disa baza ushtarake, si në Bagram, Kandahar dhe Jalalabad.
Talebanët reaguan sot ndaj njoftimit të Presidentit Obama për ruajtjen e nivelit të 9800 trupave amerikane në Afganistan për vitin 2016, ndërsa ulja deri në 5500 trupa nuk do të ndodhë deri në janar të vitit 2017, në përfundim të mandatit të tij presidencial.
“Nuk do të ndryshojë misioni i tyre. Trupat tona do të vazhdojnë të përmbushin dy detyrat e tyre: trajnimin e forcave afgane dhe ndjekjen e al-Kaidës. Por, do të ruajmë prezencën e tanishme gjatë gjithë vitit të ardhshëm që të vazhdojmë përpjekjet për të trajnuar dhe ndihmuar forcat afgane.”
Administrata kishte planifikuar fillimisht mbajtjen e vetëm 1 mijë forcave amerikane pas vitit 2016, me detyrë kryesore mbrojtjen e ambasadës amerikane në Kabul.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid i përsëriti Zërit të Amerikës se “vazhdimësia e forcave amerikane nuk do t’i japë fund pushtimit të Afganistanit” dhe se “premtimet e tyre false” synojnë të mashtrojnë popullin afgan dhe atë amerikan.
Por, ligjvënësja afgane Shukria Barikzai thotë se tërheqja më e ngadaltë është vendimi i duhur.
“Është shumë e rëndësishme për afganët dhe amerikanët të kuptojnë se nuk është çështje zgjedhjeje e Presidentit Obama, por është ajo çfarë duhet bërë. Prezenca duhet të vazhdojë dhe shpresoj të ulet numri i viktimave civile dhe të shtohet bashkëpunimi ndërmjet forcave të sigurisë afgane dhe Shteteve të Bashkuara.”
Edhe Presidenti afgan Ashraf Ghani e mirëpriti vendimin duke thënë se “dëshmohet sërish partneriteti në marrëdhëniet SHBA – Afganistan mbi bazën e interesave dhe rreziqeve të përbashkëta”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, tha se “tashmë misioni i përditshëm është trajnimi, këshillimi dhe ndihma kundër terrorizmit”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të forcuar stabilitetin afatgjatë në Afganistan dhe do të ngulmojnë për të ruajtur çfarë është arritur atje.
Trupat amerikane në Afganistan do të përqëndrohen në disa baza ushtarake, si në Bagram, Kandahar dhe Jalalabad.