Lidhje

Shqipëri: ekspertët e Komisionit të Venecias nisin takimet


Në Shqipëri, një delegacion i ekspertëve të komisionit të Venecias nisi sot një seri takimesh me autoritetet më të larta të vendit dhe me drejtues të gjyqësorit, për të diskutuar mbi reformën në Drejtësi.

Komisioni i Venecias ka marrë në shqyrtim paketën e ndryshimeve kushtetuese të paraqitur nga grupi i ekspertëve të Nivelit të Lartë që punoi me komisionin parlamentar për reformën në Drejtësi.

Propozimet, synojnë ndërhyrje të thella dhe radikale në thuajse të gjitha hallkat e sistemit, deri në nivelet më të larta.

Pranë komisionit janë paraqitur edhe propozimet e Partisë demokratike e cila ka kritikuar ashpër paketën e ndryshimeve kushtutuese.

Edhe sot pas takimit me ekspertët e Komisionit të Venecias, deputeti demokrat Eduard Halimi deklaroi se sipas tij ndërhyrjet duhet që në të njejtën kohë të garantojnë dhe pavarësinë e sistemit dhe jo kapjen e tij.

Nga ana e tij Presidenti Bujar Nishani, në takim është shprehur se “reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e efektshme dhe afatgjatë.

Komisioni i Venecias pritet të japë një opinion të tijin brenda gjysmës së parë të muajit dhjetor.

XS
SM
MD
LG