Lidhje

Policia, aksion kundër kritikëve të Erdoganit


Autoritetet në Turqi ndaluan 35 njerëz të martën në një operacion që kishte në objektiv mbështetësit e klerikut të akuzuar se po përpiqet të rrëzojë presidentin Recep Tayyip Edogan, njofton media lokale.

Bastisjet në qytetin portual Izmir në perëndim të vendit erdhën dy ditë pasi votuesit në Turqi vendosën t’i japin shumicën në parlament Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të zotit Edogan.

Agjencia e lajmeve, Dogan, tha se policia u shpërnda në disa zona të Izmirit për të ndaluar burokratë me peshë dhe zyrtarë të policisë si pjesë e hetimeve ndaj atyre që mbështesin klerikun mysliman që jeton në Amerikë, Fethullah Gulen.

Javën e shkuar, autoritetet bllokuan një prej organizatave më të mëdha të medias në Turqi, e cila po ashtu akuzohet se ka lidhje me zotin Gulen. Një seri tjetër bastisjesh në muajin maj rezultoi në arrestimin e dhjetëra biznesmenëve që besohet se kanë lidhje me klerikun në fjalë.

Zoti Erdogan tha të hënën se bota duhet të respektojë fitoren e partisë së tij, një referencë kjo që duket se i është drejtuar medias perëndimore që shpesh ka qënë kritike ndaj politikave gllabëruese të qeverisë.

“E gjithë bota duhet të tregojë respekt”, tha Edogan ndërsa merrte pjesë në lutje në një xhami dhe vizitës tek varret e prindërve të tij. “Deri tani, nuk kam parë një maturi të tillë nga bota, ” tha ai.

Zgjedhjet e së dielës ishin të lira dhe paqësore, por vëzhguesit ndërkombëtarë denoncuan kufizimet mediatike para votimeve, zaptimin e një mediumi nga qeveria dhe hetimet kriminale ndaj gazetarëve për siç thuhet mbështetje ndaj terrorizmit apo shpifje ndaj zotit Erdogan.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha në fillim të javës se administrata e zotit Obama ka shtruar shqetësime si në rrugë publike dhe private mbi “lirinë e shtypit, lirinë e fjalës dhe të tubimeve në Turqi.” Ai tha se Shtëpia e Bardhë ishte thellësisht e shqetësuar se organet mediatike dhe gazetarët kritikë ndaj qeverisë ishin objekt i presionit dhe frikësimeve gjatë fushatës elektorale në Turqi.

Andreas Gross, i cili drejtoi një delegacion parlamentarësh nga Këshilli i Evropës, u tha gazetarëve të henën se “..fatkeqësisht dolëm në konkluzionin se fushata ishte e padrejtë dhe u karakterizua nga dhuna e tepërt dhe ushtrimi i frikës.”

Zgjedhjet e së dielës e kthyen Turqinë nën sundimin një partiak vetëm pesë muaj pasi partia AK e zotit Erdogan humbi shumicën në parlament për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Partia AK fitoi afro 50 përqind të votave ose 316 nga 550 vende që ka parlamenti. Partia opozitare kryesore mori vetëm 25 përqind, duke bërë që AK të kishte një fitore më të gjerë se sa pritej.

XS
SM
MD
LG