Lidhje

Pas protestave në Universitetin e Mizurit


Presidenti dhe kancelari i Universitetit të Mizurit njoftuan dje dorëheqjen nga postet pas presionit të studentëve, të cilët thonë se gjatë udhëheqjes së tyre nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur problemit të racizmit dhe diskriminimit në forma të tjera në universitet.

Pas tensioneve dhe protestave disa javore, në kampusin qendror të Universitetit të Mizurit në Kolumbia, shpërthyen dje festimet. Protestuesit e mirëpritën lajmin për dorëheqjen e presidentit Tim Wolfe, i cili pohoi se universiteti nuk kishte bërë sa duhet për të nxitur tolerancë racore:

“Ne nuk po e dëgjonim më njëri-tjetrin. Nuk po përgjigjeshim, nuk po reagonim. Filluam të irritohemi nga njëri-tjetri”.

Jonathan Butler, një student afrikano-amerikan u hodh në grevë urie një javë më parë për të kundërshtuar qëndrimin e administruesve ndaj problemit të racizmit, përfshirë ofezat që hidheshin ndaj studentëve të pakicës racore.

Irritimi arriti kulmin kur u shfaq një kryq i thyer, në muret e banjos së një konvikti.

Presidenti i Shoqatës Studentore, Payton Head, thotë se diskriminimi nuk është një fenomen i kufizuar në Universitetin e Mizurit:

“Ky problem ekziston në të gjithë vendin. Por në universitet ekiston mundësia për të krijuar një mjedis ku të gjithë të ndjehen të përfshirë”.

Megjithatë përpjekjet munguan deri kur ekipi universitar i futbollit, i përbërë kryesisht nga studentë afrikano-amerikanë, u bashkua me protestat duke thënë se nuk do të zhvillonte stërvitje apo ndeshje derisa të dorëhiqej presidenti Wolfe. Bojkotimi qoftë edhe i një ndeshjeje të vetme do t’i kishte kushtuar rëndë universitetit shpjegon përmes Skype-it Greg Carr, ekspert i studimeve afrikano-amerikane:

“Është edhe ndikimi kulturor pasi këta të rinj në këtë rast po dalin jo thjesht si sportistë, por në radhë të parë si studentë që kanë të njëjtat shqetësime me studentët e tjerë”.

Studentët kanë qenë në krye të shumë lëvizjeve për të drejta të njeriut dhe liri civile gjatë shekullit të kaluar. Por ekspertët thonë se lehtësia e komunikimit sot u jep atyre më shumë fuqi se kurrë.

“Nuk jam i sigurtë nëse Presidenti i Universitetit të Mizurit do të kishte dhënë sot dorëheqjen, pa këtë ndikim nga media sociale dhe falë imazheve të ngjarjeve që bota i ndjek menjëherë”.

Pritet që situata në Mizuri të frymëzojë grupe të tjera studentore në luftën kundër diskriminimit dhe problemeve të tjera në mjediset universitare.

XS
SM
MD
LG