Lidhje

Terrorizmi, masa sigurie shtesë në Tiranë


Sinjale nga shërbimet sekrete për akte të mundshme sulmi Patrullat e policisë me armatime të rënda. Një nga xhamitë e përdorura nga esktremistët e arrestuar vitin e kaluar kalon nën kontrollin e Komunitetit Musliman

Në Tiranë janë përforcuar masat e sigurisë rreth institucioneve qëndrore dhe në rrugët kryesore, pas disa njoftimeve për akte të mundshme terroriste të dhëna nga shërbimet sekrete

Ende nuk është e qartë se të cfarë shkalle mund të kenë qenë informacionet apo dyshimet për sulme të mundshme, por sot në Tiranë, që në mëngjes, u vu re një prani e shtuar e forcave policore, të pajisura dhe me një armatim më të rëndë se zakonisht.

Masa të përforcuara edhe pranë institucioneve kryesore të vendit, si rreth godinës së Qeverisë ashtu dhe rreth parlamentit i cili sot ishte mbledhur në seancë plenare. Një shtim masash ka patur edhe pranë qendrave tregtare.

Që pas ngjarjeve të mbrëmjes të së premtes së shkuar në Paris, policia shqiptare rriti nivelin e saj të gatishmërisë, duke përforcuar gjithashtu kontrollet në pikat kyce si dhe në hyrje daljet në kufi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako tha se megjithatë nuk ka vend për panik, dhe se ka një bashkëpunim shumë të ngushtë mes agjencive të ndryshme të sigurisë për të parandaluar cdo ngjarje të rrezikshme. Zoti Çako shtoi gjithashtu se ka një shkëmbim konstant informacioni edhe me homologë të vendeve të tjera dhe me partnerët kryesorë të vendit.

Shqipëria është ndër vendet e para që ju bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, ndërsa afër 140 shqiptarë mendohet të jenë rekrutuar dhe janë përfshirë në luftimet në Siri krah ISIS-it. Vitin e kaluar një grup imamësh të vetshpallur që vepronin në dy xhami në periferi të Tiranës, u arrestuan pikërisht sepse dyshohen se predikonin islamin e dhunshëm dhe rekrutonin besimtarë për t’u dërguar në luftimet jashtë vendit. Njëra prej këtyre xhamive, ajo e Mëzezit u mor sot nën kontrollin e Komunitetit Musliman, i cili emëroi zyrtarisht dhe një imam të vetin për drejtimin e këtij vendi kulti.

XS
SM
MD
LG