Lidhje

Azil në Gjermani, në 2015 mbi 54 mijë shqiptarë


Autoritetet gjermane publikojnë shifrat. Shqipëria në vendin e dytë për nga numri i azilkërkuesve. Pas saj Kosova. Rënie e ndjeshme e fluksit në dy muajt e fundit të vitit të shkuar

Numri i qytetarëve nga Shqipëria të cilët kërkuan azil në Gjermani gjatë vitit 2015 ishte 54,762 persona, duke u renditur si vendi i dytë i origjinës me më shumë azilkërkues, pas Sirisë. Sipas shifrave të autoriteteve gjermane, të cilat gjatë vitit të shkuar u përballën me një fluks prej qindra mijëra refugjatësh, në vend të tretë ishte Kosova me 37,095 qytetarë të saj të cilët kërkuan të qëndronin në Gjermani. Në mes 10 vendeve kryesore të origjinës së emigrantëve, 4 prej tyre janë nga Ballkani, ku përvec Shqipërisë dhe Kosovës, kërkesa për azil ka patur edhe nga Serbia (26,945) dhe Maqedonia (12.166). Për të minimizuar flukset nga Ballkani, autoritetet gjermane vendosën t’i njohin ato si “vende të sigurta”, duke bërë kështu të mundur shkurtimin e procedurave dhe refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil.

Numri i emigrantëve nga Shqipëria në 2015 shënoi një rritje me mbi 5 herë krahasuar me kërkesat për azil në 2014, të cilat ishin pak më shumë se 8 mijë. Në të njejtin nivel kishin qenë dhe shifrat e azilkërkuesve nga Kosova. Nga të dhënat zyrtare të autoriteteve gjermane vihet re se në tre muajt e fundit të 2015, numri i emigrantëve nga Shqipëria shënoi një rënie të ndjeshme nga 4,680 në Tetor, në 3.044 persona në nëntor dhe 1.801 në muajin dhjetor.

Ndërsa në fillim të vitit autoritetet në Shqipëri folën për keqkuptime lidhur me lajmet e përhapura për kërkesa për vende pune nga Gjermani apo se pas fluksit në rritje qëndronin grupe kriminale të trafikut të qënieve njerëzore, më pas ato i mëshuan tezës se shumica e azilkërkuesve nga Shqipëria ishin sipas tyre emigrant që kishin jetuar në Greqi. Por ky variant nuk u konfirmua asnjëherë nga autoritetet gjermane.

XS
SM
MD
LG