Lidhje

Siri: Përdorimi i urisë si armë lufte


Po rritet trysnia ndaj fraksioneve ndërluftuese në Siri, të cilat po përdorin urinë si armë lufte. Forcat e qeverisë siriana kanë bllokuar disa qytetet të kontrolluara nga forcat rebele duke mos lejuar madje as hyrjen e ushqimeve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, Ban Ki-moon e dënoi përdorimin e urisë si armë lufte duke a quajtur atë krim lufte.

Megjithëse kanë arritur të depërtojnë sasi të ndihmave humanitare, Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki-mun thotë se palët ndërluftuese në Siri nuk mund të justifikojnë rolin e tyre në bllokimin e artikujve ushqimorë për mijëra njerëz.

"Më lejoni të jem i qartë, përdorimi i urisë si armë lufte është krim lufte. Të gjitha palët, përfshirë qeverinë siriane, e cila ka përgjegjësinë kryesore për të mbrojtur sirianët, janë duke bërë këtë dhe akte të tjera barbare të ndaluara nga ligjet ndërkombëtare", tha sekretari Ban Ki-moon.

Sekretari Ban thotë se nevojat urgjente për ndihma ushqimore janë tepër të mëdha në qytetet Foua dhe Kfarya që kontrollohen nga rebelët, dhe në Madaya që është i rrethuar nga rebelët dhe është bllokuar nga forcat siriane.

"Kur hymë në Madaya, ne pamë fëmijë në nevojë dhe raste të kequshqyerjes në mesin e tyre. Ne shpresonim se do të mund t’i merrnim ata nga Madaya për t’i ofruar kujdes në qendrat tona", thotë Khaled Al Safadi me organizatën SOS në Siri.

"Ne të gjithë shpresojmë se procesi i dërgimit të ndihmave do të vazhdojë në ditët e ardhshme por të paktën është inkurajuese që ky proces humanitar ka filluar".

Agjencitë e ndihmave humanitare po planifikojnë të dërgojnë karburant të dielën në qytetet e rrethuara.

Ndërkohë, rebelët sirianë po kërkojnë heqjen e bllokadave ndaj disa qyteteve para hyrjes në bisedime me qeverinë siriane, të cilat më 25 janar do të mbahen në Gjenevë.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara do të udhëheqin bisedimet, të cilat kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje e cila do t'i jepte fund luftës.

XS
SM
MD
LG