Lidhje

Narkotikët dhe krimet e rënda të përhapura në Jug


Policia dhe Prokuroria po analizojnë këto ditë kriminalitetin dhe situatën e sigurisë gjatë vitit 2015 në forume të strukturave rajonale në Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.

Kultivimi dhe trafiku i narkotikëve, por dhe disa krime të rënda, kanë qenë në qendër të analizave që janë kryer me prani të drejtuesve më të lartë të strukturave policore dhe të prokurorisë.

“Viti 2015 tregoi që puna e policisë ishte shumë e mirë në parandalimin dhe në luftën kundër kultivimit”, tha në Gjirokastër Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Por Sfida mbetet, pasi potenciali që të rikultivohet është ende”, tha zoti Tahiri. Ministri i Brendshëm ka kërkuar mbështetjen e strukturave të qeverisjes vendore që dolën nga zgjedhjet e qershorit të vitit të shkuar të cilat janë angazhuar pak në freninimin e kultivimit të marijuanës në zonat malore në Jug të Shqipërisë.

Të dhënat policore folën për mjaft vatra të mbjella me marijuanë, sidomos në malësitë e Tepelenës, Në disa operacione organizatorët i shpëtuan arrestimit, ndonëse u bllokuan sasi të mëdha bimësh narkotike. Ndërkohë disa krime në hapësirën Vlorë - Fier e kanë bërë Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llala , sic u shpreh vetë ai në takimin me trupën e Prokurorëve, ta nisë analizën nga Prokuroria e Vlorës. “Krimet e fundit në Fier dhe në Vlorë janë të lidhura me ngjarje në qytete të tjera” , deklaroi Kryeprokurori.

“Në Prokuroinë e Vlorës nga analiza statistikore rezulton se edhe gjatë vitit 2015, ka vijuar të jetë i lartë numri i hetimeve të pezulluara, kryesisht për mungesë autori. Në përgjithësi, pezullimet lidhen me rastet e kultivimit të lëndës narkotike”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llala.

Sipas tij në këtë rajon gjeografik ka pasur aksione të shpeshta anti-marijuanë , por që jo gjithnjë janë shoqëruar me evidentimin e personave përgjegjës. “Është e qartë që ky tregues lidhet drejtëpërdrejt me punën parandaluese të institucioneve të tjera ligjzbatuese, tha Llalla, duke u kërkuar prokurorëve të luajnë rolin koordinues ndërmjet agjencive të tjera ligjzbatuese, për përpunimin sa më të plotë dhe efikas të informacionit nga terreni.

Shqipëria vazhdon të jetë sipas analistëve të sigurisë një vend i origjinës së kultivimit të marijuanës, e cila vit pas viti prodhon një zinxhir efektesh kriminale. Vitin e shkuar ekspertët e sigurise panë me shqetësim investimin e krimit të organizuar në mbjellje dhe ruajtje vatrash me marijuanë në zona të ndryshme të vendit dhe më pas organizimin e transportimit të marijuanës kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë fqinje, por edhe vendeve të tjera euopiane.

Sipas analistëve një seri vrasjesh të trafikantëve shqiptarë të ndodhura jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit e kanë origjinën pikërisht në “larjet e hesapeve “ mes grupeve që merren me narkotikët.

XS
SM
MD
LG