Lidhje

Makinat autonome


Self Driving Cars The Humans
Self Driving Cars The Humans

Pas gati gjysëm dekade vështirësish, prodhuesit amerikanë të automobilëve shitën më shumë makina vitin e kaluar se sa kurrë më parë. Makinat në SHBA harxhojnë tashmë më pak karburant dhe kanë paisje të shumëllojshme elektronike. Firmat prodhuese thonë se shoferët e sotshëm do të kenë brenda një dekade makina gjysëm autonome dhe plotësisht të vetëdrejtuara, duke e bërë kështu më të sigurtë dhe më të lehtë drejtimin e makinës.

Në vitin 2004, agjensia kërkimore e ushtrisë amerikane, DARPA, i sfidoi inxhinerët e automjeteve që të përpiqeshin të ndërtonin një makinë të vetëdrejtuar. Megjithëse ishte një copë rrugë e drejtë, pa pengesa dhe pa trafik, asnjë nga makinat nuk shkoi dot deri në fund.

Dymbëdhjetë vjet më vonë, teknologjia ka avancuar aq shumë sa që prodhuesit po i testojnë ato në rrugë me trafik real, duke synuar t’i bëjnë absolutisht të sigurta për pasagjerët dhe këmbësorët.

“Menduam se përderisa jemi në gjendje të ndërtojmë një makinë që vetëdrejtohet, atëherë përse të mos e bëjmë edhe më të sigurtë. Për mua, siguria ka qenë gjithnjë prioritet”, tha James McBride, kompania Ford.

Kompania “Google” pranon se makinat e saj eksperimentale të vetëdrejtuara kanë patur momente të vështira, por gjithashtu vë në dukje se incidentet fillimisht ndodhnin çdo 1300 kilometra në vitin 2014, ndërsa vjet ndodhën në çdo 8500 kilometra.

Përveç aspektit të sigurisë, prodhuesit duhet edhe të sigurohen se klientët do ta lëshojnë timonin.

“Nuk duam të përparojmë shumë shpejt pasi klientët mund të kapen në befasi. Ka një proçes të mësuari.”

Simulatorët e ngarjes së makinës mund t’i ndihmojnë njerëzit që të përshtaten të mos kenë kontrollin e makinës. Duke përdorur syze të realitetit virtual, shoferët mund të përjetojnë ndjesinë e të qëndruarit pasiv në timon.

Shumë makina kanë tashmë sensorë që u zhvilluan pas sfidës së DARPA-s, si p.sh. sensorë lazeri për distancën, video kamera, alarme sinjalizuese për ndryshimin e korsive etj.

Shkencëtarët thonë se makinat e së ardhmes do të komunikojnë me botën rreth tyre, si p.sh. me celularët e këmbësorëve.

“Do të shikojnë se ku po ecën këmbësori, dhe do të ndalojnë nëse këmbësori del para makinës.”

Ekspertët thonë se makina të vetëdrejtuara me çmim të përballueshëm do të jenë të disponueshme për konsumatorët brenda 4-5 vitesh.

XS
SM
MD
LG