Lidhje

Drejtësia, Venecia: Pak çështje për t’u zgjidhur


Ekspertët: Reforma në rrugën e duhur. Emërimet nga parlamenti, “si 3/5 dhe 2/3 brenda standarteve, por nevojitet mekanizmi zhbllokues". Ndërprerja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, “vlerësimi në opinionin përfundimtar”

Në Shqipëri ekspertët e Komisionit të Venecias vlerësuan pozitivisht punën e bërë për projektin e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. Në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje, ata deklaruan se pak çështje kanë mbetur për t’u zgjidhur. “Partitë politike të veprojnë me mirëbesim dhe të angazhohen që të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për të çuar përpara reformën. Ajo është në një fazë të tillë të avancuar sa që ato pak çështje që janë pezull do të mund të zgjidhen dhe të çojnë në përfundimin e saj”, nënvizuan ekspertët, duke theksuar se “reforma është në rrugën e duhur, dhe pas harmonizimit të disa çështjeve ajo duhet të miratohet nga parlamenti”.

Ekspertët e Venecias deklaruan se “kjo reformë është dhe e nevojshme dhe urgjente për t’u ndërmarë. Qytetarët e kanë humbur besimin te gjyqësori dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e korrupsionit”. Ata thanë se “synimi kryesor i përmbushjes së reformës e justifikon kompleksitetin” e zgjidhjeve të ofruara “mjaft që të garantohet pavarësia e institucioneve gjyqësore” u shprehën ata duke saktësuar se “projekti i ndryshimeve mbetet kompleks, për shkak se trajtohen shumë çeshtje dhe për shkak të objektivave që synon refoma. Por arkitektura e ndryshimeve është e pranueshme”.

Sipas ekspertëve të Venecias “kjo është një reformë që nuk është e lehtë për t’u realizuar. Kjo reformë duhet të sigurojë pavarësinë, konceptin e llogaridhënies, si dhe duhet të luftojë korrupsionin. Nuk është e lehtë që të gjitha këto të realizohen së bashku dhe të realizohen objektivat kryesore të reformës. Për këtë arsye me të drejtë ekspertët kanë dhënë shpjegime të detajuara dhe të komplikuara”.

Duke sjellë shembullin e procesit të vlerësimit, të cilit sipas propozimeve duhet t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, ekspertët u shprehën se “mbështesim dhe procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndonëse nuk është një proces normal apo i zakontë në pjesën më të madhe të vendeve europiane. Por ndërkohë që parashikohet një procedurë e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të sigurohemi që të ofrojmë garancitë e nevojshme me ligj, të cilat bëjnë të mundur një process të rregullt ligjor në rast të ankimimit prej prokurorëve dhe gjykatësve përkatës”.

Lidhur me çështjen aq të debatuar në Shqipëri, të shumicës parlamentare me të cilën do të duhet të emërohen disa nga anëtarët e institucioneve të drejtësisë, ekspertët e angazhuar nga komisioni i posaçëm parlamentar kanë propozuar një votim me 3/5, ndërsa opozita këmbëngul për 2/3. Për ekspertët e Venecias “të dyja zgjidhjet janë në përputhje me standartet dhe nuk i takon Komisionit të Venecias t’i thotë Shqipërisë se çfarë duhet të bëjë për këtë aspekt. Kur të caktohet se cila do të jetë shumica e cilësuar, duhet gjithashtu një mekanizëm zhbllokues, që të sigurojë se procesi i zgjedhjes do të mbyllet me sukses. Sipas nesh, ekzistojnë disa opsione për të zgjidhur këtë situatë dhe shpresa jonë është, që forcat politike të ulen për të gjetur një zgjidhje të mundshme”, u shprehën ekspertët, sipas të cilëve “çështja e shumicës nuk është e vetmja çështje e rëndësishme në ndryshimet e kushtetutës. Procedura e emërimit të kandidatëve, është po aq e rëndësishme sa procedura e përzgjedhjes së tyre. Dhe në kuadër të procedurës së emërimit duhet të sigurohemi se vetëm ata kandidatë që kanë kualifikimin e kërkuar dhe që realisht e meritojnë do t’i propozohen parlamentit për t’u zgjedhur”.

Lidhur me një tjetër pikë të debatueshme, atë që ka të bëjë me propozimin për ndërprejen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin opozita, por dhe LSI-ja, kanë shprehur kundërshti, ekspertët thanë se do të japin një përgjigje në opinionin e përfundimtar të Komisionit, që pritet të miratohet në fillim të marsit. Ndërsa për krijimin e njësive të posaçme antikorrupsion, ekspertët vlerësuan se praktika të tilla janë zbatuar me sukses dhe në vende të tjera.

XS
SM
MD
LG