Lidhje

Bisedimet e paqes për Sirinë


I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura po vazhdon takimet me delegatët e opozitës siriane në Gjenevë, pas përparimit në zgjidhjen e disa çështjeve që grupi kryesor i opozitës dëshironte të trajtoheshin para pjesëmarrjes në bisedimet e paqes. De Mistura ka në plan të takohet edhe me zyrtarët e qeverisë siriane.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë u tha dje gazetarëve se është "optimist dhe i vendosur" se opozita do të marrë pjesë në bisedimet e paqes që filluan të premten, pesë ditë pas afatit të fillimit të tyre. Dita e parë e bisedimeve u bojkotua nga përfaqësuesit e opozitës.

Opozita tha se diskutimet e së dielës mbi çështjet humanitare ishin "inkurajuese dhe pozitive", duke iu referuar kërkesave të grupit për t'i dhënë fund sulmeve ajrore ndaj civilëve dhe heqjen e rrethimeve që po pengojnë arritjen e ndihmave humanitare në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Riad Naasan Agha është përfaqësues i opozitës siriane:

"Ne nuk po kërkojmë mrekulli, ne kemi nevojë për liri, demokraci, dinjitet. Nuk mund të quhemi kriminelë, terroristë dhe të dënohemi për shkak të këtyre kërkasave. Diktatura duhet të marrë fund dhe, siç e dini, unë kam qenë ministër në regjimin e tanishëm, por unë nuk pranoj vrasjen e njerëzve të mi dhe nuk i mbroj kriminelët".

Grupi i opozitar thotë se ka shkuar në Gjenevë për t'u takuar me zyrtarët e OKB-së dhe jo për të marrë pjesë në negociata, qoftë edhe indirekte, me qeverinë e presidentit Bashar al-Asad.

Por i dërguari i OKB-së dje u tha gazetarëve se ai është "optimist" se opozita do t’i bashkohet procesit të paqes që filloi të premten.

De Mistura ka në plan të konsultohet me të dyja palët veç e veç dhe do t’ia transmetojë atyre propozimet dhe pozicionet e njëri-tjetrit.

Bisedimet kanë për synim të hedhin bazat për bisedime të drejtpërdrejta mes dy palëve.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry dje i bëri thirrje qeverisë siriane dhe opozitës që të bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit gati 5-vjeçar në të cilin janë vrarë rreth 250 mijë njerëz dhe janë zhvendosur miliona të tjerë.

XS
SM
MD
LG