Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Londër për një takim të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo bankë është një nga investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, priti kryeministrat nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, si dhe Sekretarin e Jashtëm britanik, Philip Hammond.
Takimi u përqendrua sidomos në zhvillimin e lidhjeve të transportit, mundësitë për energjinë e ripërtëritshme dhe programet e privatizimit në rajon.
Sipas BERZH-it, në takim u përurua nisma e mbështetur nga banka - një "platformë e re rajonale për tregtimin e letrave me vlerë në bursat bullgare, kroate dhe maqedonase”.
Një nga synimet e takimit në Londër ishte nxjerrja në pah e mundësive për investime dhe biznes në rajon dhe nxitja e fluksit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta si dhe projektet ndërkufitare.
Pjesëmarrësit përfshinin veç zyrtarëve të qeverive edhe ekspertë dhe përfaqësues të njohur të biznesit vendas e ndërkombëtar.
BERZH-i është një nga investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor dhe vetëm vitin e kaluar, Banka ka investuar rreth 1 miliard euro në projekte të ndryshme nga efikasiteti energjitik dhe infrastruktura te mbështetja për institucionet financiare dhe agrobiznesi.