Lidhje

BE dhe fluksi i imigrantëve


Ministrat e Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel sot për të zhvilluar një strategji për të përballuar fluksin masiv të emigrantëve që po shterrojnë edhe burimet e vendeve më të pasura të grupit. Greqia, një nga anëtaret e BE-së me më shumë probleme financiare, ka hasur në vështirësi për t’u përballur me valën e refugjatëve që i ikin dhunës në Siri, Irak dhe Afganistan.

Ministrat e BE-së, shqyrtuan sot mundësinë e shtrëngimit të kontrolleve të njëanshme nëse nuk ka një pakësim të konsiderueshëm të numrit të imigrantëve që mbërrijnë nga Turqia deri kur të mbahet takimi i nivelit të lartë BE-Turqi më 7 mars.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras paralajmëroi dje se vendi i tij nuk do të bjerë dakord me asnjë marrëveshje tjetër nëse vende të tjera të Bashkimit Evropian nuk bien dakord që të ndajnë në mënyrë të barabartë barrën e akomodimit të fluksit të pandalshëm të refugjatëve.

Ministri grek i Emigracionit Ioannis Mouzalas, u bëri jehonë këtyre qëndrimeve kur mbërriti sot për takimin.

“Kemi ardhur sot këtu, që të përpiqemi të diskutojmë se si të përballemi me një krizë humanitare në Greqi, që vetë shtetet e Bashkimit Evropian po e krijojnë. Greqia nuk do të pranojë veprime të njëanshme nga BE. Edhe Greqia mund të ndërmarrë veprime të njëanshme. Greqia nuk do të pranojë të khehet në një Liban të Evropës, një magazinë shpirtrash, edhe nëse kjo bëhet me fonde të konsiderueshme”.

Në një shenjë tjetër marrëdhëniesh të rënduara nga kriza e emigrantëve, Greqia tërhoqi sot ambasadorin e saj në Vienë, pasi Austria nuk e kishte përfshirë Athinën një takim të vendeve ballkanike për krizën.

Shumë refugjatë zbresin në brigjet greke, para se të ndërmarrin të ashtuquajturën “rruga e Ballkanit” përmes Serbisë dhe fqinjëve të saj për në Evropën qendrore dhe perëndimore.

Në takimin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së, janë edhe homologët e tyre nga Serbia, Maqedonia dhe Turqia, vende që janë në vijën e parë të frontit të kësaj krize.

Imigrantë dhe refugjatë u bllokuan në portin e Pireut sot pasi Maqedonia kufizoi në mënyrë të konsiderueshme, numrin e atyre që lejon të kalojnë kufirin e saj. Kontrolli në kufirin mes dy vendeve është bërë më i rreptë ndërsa policia austriake po kontrollon në mënyrë të detajuar dokumentat e udhëtimit dhe pasaportat duke lejuar vetëm refugjatë nga Siria dhe Iraku që të hyjnë në Maqedoni nga Greqia.

Mes çështjeve që po diskutohen sot në BE, është edhe synimi i Hungarisë për të mbajtur një referendum për një plan të Bashkimit Evropian për të caktuar kuota të detyruara për pranimin e imigrantëve nga çdo vend.

XS
SM
MD
LG