Lidhje

Kundërpërgjigja ndaj propagandës ruse, kineze


Rob Portman, Senator nga Ohajo
Rob Portman, Senator nga Ohajo

Dy senatorë: Rob Portman, republikan nga Ohajo dhe Chris Murphy, demokrat nga Kënektikat kanë prezantuar një ligj për t’iu kundërvënë propagandës nga Rusia, Kina dhe vende të tjera.

Sipas hartuesve të projekt-ligjit për t’iu kundërvënë propagandës dhe dizinformimit, objektivi është përmirësimi i aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të kundërshtuar propagandën e huaj dhe për të ndihmuar njerëzit në vendet e tjera të mbrohen nga manipulimi.

Duke folur në një konferencë kohët e fundit në Këshillin e Atlantikut, një institut për studime të politikës së jashtme, Senatori Rob Portman tha se beson që Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të kundërhstuar propagandën e huaj “destabilizuese” dhe dizinformimin nga vende si Rusia dhe Kina.

“Këto vende shpenzojnë shuma të mëdha parash për transmetime televizive moderne dhe kapacitete të medias dixhitale, fushata të përqendruara, financime lëvizjesh të huaja politike, dhe përpjekje të tjera për të ushtruar ndikim tek audiencat dhe popullsitë e ndryshme”.

Ai thotë se sasia që shpenzojnë Zëri i Amerikës dhe Radioja Evropa e Lirë, që financohen nga Kongresi amerikan, është fare e vogël krahasuar me paratë e shpenzuara për televizionin rus RT, një kanal televiziv satelitor i financuar nga Kremlini dhe për CCTV-në e qeverisë kineze.

Senatori Portman thotë gjithashtu se është e nevojshme që të ristrukturohen përpjekjet amerikane të kundërpropagandës.

“Është për t’u habitur që aktualisht nuk ka asnjë agjenci ose departament të qeverisë të ngarkuar me zhvillimin, integrimin dhe sinkronizimin në nivel kombëtar të strategjive për të luftuar kontrabandën dhe dizinformimin”.

Senatori Chris Murphy është dakord.

“Sugjerimi ynë i thjeshtë në projekt-ligj është që të kemi një strategji me përfshirjen e të gjitha agjencive që kanë një rol, që të kemi një strategji të koordinuar”.

Kristin Lord, që drejton IREX-in, një organizatë fitimprurëse që nxit ndryshimet globale tha në një konferencë se një pjesë e rëndësishme e legjislacionit është propozimi për t’ia akorduar burimet organizatave në terren për t’iu kundërvënë propagandës qeveritare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk është gjithmonë zëri më i besueshëm në këto debate prandaj duhet të investojmë tek njerëzit që paraqesin argumenta të besueshme”.

Projekt-ligji parashikon krijimin e një Qendre të re për Analizë Informacioni dhe Reagim për të koordinuar të gjitha përpjekjet anti-propagandë të qeverisë amerikane.

XS
SM
MD
LG