Lidhje

Trafiku i heroinës në kufirin greko shqiptar


Në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk po shënohet vetëm trafik marijuane por edhe i llojeve të forta të drogës. Policia greke tha se goditi një rast të trafikut të heroinës duke bllokuar 1,3 kilogramë dhe arrestuar dy shtetas nga Shqipëria.

Sipas burimeve greke operacioni u krye në zonën e Kallpaqit , rreth 13 km larg kufirit shqiptar. Policia greke tha se gjatë kontrollit në ndenjëset e pasme të një autoveture ku udhëtonin dy shtetas shqiptarë , njëri 27 dhe tjetri 47 vjeç,u zbulua sasia e drogës.

Policia greke tha se bllokoi katër telefona dhe një sasi parash që iu gjetën personave të dyshuar si trafikantë. Pak ditë më parë ishte shërbimi kufitar shqiptar në pikën e Kakavijës që zbuloi një sasi prej 5 kilogramë heroinë dhe arrestoi një shtetas nga Fieri në automjetin e të cilit u gjet sasia e drogës.

Në dy operacione të tjera që janë kryer gjatë muajit mars njëri në Gjirokastër dhe tjetri në Janinë janë zbuluar sasi heroine. Në rastin e Gjirokastrës rreth 5 kilogramë heroinë ishin fshehur po në ndenjëset e brendshme të autoveturës, ndërkohë që polica shqiptare kishte bllokuar edhe 10 kilogramë marijuanë.

XS
SM
MD
LG