Lidhje

Shqipëri, rrëzohet helikopteri i ushtrisë


Humbasin jetën dy pilotët. I plagosur ushtaraku i tretë në bord. Helikopteri ra në liqenin e Shkodrës. Shefi i Shtabit të ushtrisë Bazo: Hetime për rrethanat e aksidentit

Në Shqipëri një helikopter i forcave ajrore është rrëzuar sot pasdite në Liqenin e Shkodrës, pak kilometra nga qyteti verior i vendit. Dy pilotët kapiteni Florian Deliaj dhe togeri Donald Hoxha humbën jetën, ndërsa ushtari Gerald Baramuça i cili ndodhej në bord mbeti i plagosur.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Jeronim Bazo shpjegoi se mjeti po kryente një fluturim stërvitor: “Itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores, itinerarit të miratuar gjatë një stërvitjeje fluturimi rutinë, apo siç e quajmë ne, fluturim për njohje, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim - shpëtimit. Dy pilotët janë me një përvojë të lavdërueshme, të kënaqshme, të trajnuar gjërësisht brenda dhe jashtë vendit”.

Helikopteri i rrëzuar ishte i modelit Eurocopter Ec 145, i blerë në Francë, dhe i është dorëzuar ushtrisë shqiptare nëntorin e kaluar. Gjenerali Bazo tha se mbi ngjarjen do të zhvillohen hetimet dhe verifikimet e nevojshme për të hedhur dritë mbi rrethanat e aksidentit, ndërsa saktësoi se mjeti fluturues i është nënshtruar të gjitha kontrolleve brenda rregullave të fluturimit dhe të përgatitjeve që bëhen në këto raste.

Helikopteri humbi kontaktin me kullën e kontrollit në orën 13.45. Banorë të zonës që u gjendën aty pranë ndërhynë, duke ndihmuar ushtarin e plagosur, i cili është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që trupat e dy pilotëve u nxorën më pas nga uji nga njësitë e polumbarëve.

XS
SM
MD
LG