Presidentja braziliane Dilma Rousseff pritet të japë sot reagimin e saj lidhur me fillimin e procedurës për shkarkimin nga ky post. Ligjvënësit në dhomën e ulët të Kongresit brazilian votuan mbrëmë vonë me 367 vota pro dhe 137 kundër për t’ia dërguar çështjen Senatit, i cili do të shqyrtojë nëse do ta gjykojë apo jo zonjën Rousseff.
Fraksioni kundër presidentes Rousseff shpërtheu në brohoritje kur arriti të marrë të 342 votat e nevojshme.
Anëtarët e koalicionit qeverisës e dënuan votimin e mbrëmshëm si një grusht shteti politik. Jean Wyllys është ligjvënës presidentes Rousseff
"Së pari, më vjen turp të marr pjesë në këtë farsë, të udhëhequr nga një hajdut, një tradhtar e komplotues, të mbështetur nga torturues, frikacakë analfabetë në politikë. Unë votoj kundër puçit, kundër maskarenjve".
Zonja Rousseff është akuzuar se ka mbuluar në mënyrë të paligjshme deficitet buxhetore të qeverisë në vitin 2014 për të rritur shanset e rizgjedhjes – akuzë që ajo e ka mohuar me forcë. Ajo është fajësuar gjithashtu për recesionin në Brazil dhe një skandal korrupsioni që përfshin kompaninë e madhe shtetërore të naftës Petrobras.
Në rrugët e kryeqytetit, Brasilia, mijëra demonstrues – pro dhe kundër presidentes Rousseff reaguan për votimin:
"Mendoj se ky rezultat pritej, sepse ne kemi kohë që punojmë me besimin se diçka duhej të ndryshonte. Dhe ky ndryshim vërtet do të ndodhë që tani e tutje."
Sandro Ergueira është demonstrues kundër shkarkimit të Presidentes
"Ne nuk do të heqim dorë, beteja do të vazhdojë në çdo mënyrë të nevojshme. Me ne, Brazili do të vazhdojë ndryshimin dhe përmirësimin."
Demonstrata të mëdha janë mbajtur edhe në Sao Paulo dhe Rio de Janeiro, ku mijëra njerëz u mblodhën për të parë seancën e parlamentit në ekranet e mëdha të vendosura në plazhin e famshëm Copacabana.
Në fillim të muajit të ardhshëm Senati do të votojë në se do ta gjykojë apo jo presidenten.
Në se Senati voton pro gjykimit, presidentja Rousseff do të pezullohet nga detyra dhe funksionet e saj do t’i kryejë nën presidenti Michel Temer.
Gjyqi në Senat mund të zgjasë deri në 6 muaj. Në se në përfundim të tij, dy-të-tretat e senatorëve votojnë për shkarkimin e saj, 68-vjeçarja Rousseff do të shkarkohej përfundimisht nga detyra.