Një rrugë biçikletash e ndërtuar në lartësi u shemb në Rio de Janeiro, duke marrë jetën e të paktën dy personave. Incidenti dëmtoi edhe imazhin e qytetit si organizator i Lojërave Olimpike.
Zyrtarët e qytetit njoftuan se një person i tretë mendohet të jetë i zhdukur pasi një dallgë e madhe u përplas në shkëmbinj sot duke marrë me vete edhe një pjesë prej 50 metrash të një rruge biçikletash.
“Jemi duke zhvilluar takime me inxhinierët e kompanisë që projektuan rrugën dhe me ata të kompanisë që e ndërtuan, në mënyrë që të gjejmë përgjegjësitë për gabime të mundshme që çuan në këtë incident të papranueshëm për qytetin.”
Ky është aksidenti më i fundit pas një sërë problemesh gjatë përgatitjeve për lojërat e muajit gusht, përfshirë edhe epideminë e virusit Zika dhe trazirat politike për shkarkimin e Presidentes Dilma Rousseff.
Tragjedia ndodhi në të njëjtën ditë kur flaka olimpike po ndizej në Greqi për të filluar udhëtimin 15-javor drejt Rios.
Vrapuesi i fundit do ta sjellë pishtarin brenda stadiumit Maracana gjatë ceremonisë së hapjes më 5 gusht. Lojërat e vitit 2016 do të jenë të parat që do të mbahen në Amerikën e Jugut.