Prova tjetër e madhe në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të jetë nesër, kur në pesë shtete verilindore, Konektikat, Delauer, Merilend, Pensilvani dhe Rod Ajlënd, do të mbahen zgjedhjet paraprake. Dy kryesuesit e fushatës presidenciale, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton, pritet të marrin numrin më të madh të delegatëve dhe të konsolidojnë pozicionet e tyre si konkurrentët kryesorë të fushatës.
Donald Trump mori një shtytje të fortë pas fitores së tij të madhe në Nju Jork. Ai tani është duke u kërkuar mbështetësve ta imagjinojnë atë si fitues të zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit.
"Kur hodha votën për Donald Trumpin për president të Shteteve të Bashkuara dhe kur ai fitoi, menjëherë vendi ynë u bë madhështorpërsëri. Ne filluam të fitojmë përsëri dhe, më besoni, ne do të fitojmë. Mos harroni ta bëni Amerikën një vend të madh".
Zoti Trump shpreson t’u shkaktojë rivalëve të tij një tjetër goditje të nësër në zgjedhjet papraprake në pesë shtete verilindore, ku sondazhet tregojnë ai është në epërsi.
Por senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe Guvernatori i Ohajos, John Kasich vazhdojnë të luftojnë për delegatët me shpresën për t’ia mohuar zotit Trump fitoren para votimit në konventën kombëtare në Klivëlend në korrik.
Dhe Cruz thotë se ai do të dilte fitimtar në një konvent të kontestuar republikane.
"Gjashtëdhjetë e pesë deri 70 përqind e republikanëve e pranojnë se Donald Trump nuk është kandidati më i mirë për të garuar kundër Hillari Clinton-it".
Zoti Trump mbetet favorit në garën për të marrë emërimin e partisë republikane, por ai duhet të vazhdojë të fitojë shumicën e delegatëve të mbetur për të shmangur një betejë në konventën e partisë, thotë analisti John Fortier.
"Në zgjedhjet e ardhshme në disa shtete ai është kandidati i preferuar. Por ai ende nuk e ka të garantuar emërimin. Asnjë kandidat tjetër nuk mund ta fitojë emërimin para konventës. Ted Cruz dhe John Kasich nuk mund arrijnë këtë. Por, Donald Trump mund të jetë kandidati i qartë, ose ai mund të dështojë të arrijë numrin e nevojshëm dhe në këtë rast emërimi do të bëhej në konventën e partisë".
Kryesuesja e garës në anën demokrate, Hillary Clinton shënoi gjithashtufitore ndaj rivalit të saj Bernie Sanders, në Nju Jork, shteti të cilin ajo e përfaqësoi si senatore.
Zonja Clinton po thekson nevojën për bashkim të partisë dhe vendit, ndërkohë që ajo pritet të marrë emërimin e partisë demokrate.
"Në një demokraci, ne nuk mendojmë se një njeri e ka gjithë të vërtetën. Ju e dini se ne nuk jemi një diktaturë, regjim autoritar, apo teokraci. Ne jemi një demokraci, dhe ne duhet të flasim dhe të dëgjojmë përsëri!"
Pavarësisht humbjes së thellë në Nju Jork, senatori Sanders është zotuar se do të vazhdojë betejën, edhe pse disa demokratë i kanë bërë thirrje atij të zbusë sulmet ndaj zonjës Clinton dhe të punojë në drejtim të bashkimit të partisë.
Zoti Sanders mbetet i fokusuar në ndërtimin e një revolucioni politik.
"Ne u konsideruam si një kandidaturë dytësore. Ne kemi bërë një përparim të madh në 11 muajt e fundit!"
Zonja Clinton është favorite në pesë shtetet verilindore që do të votojnë nesër, dhe fitoret e saj në këto shtete do të shtojnë presionin ndaj senatorit Sanders për të mos e vazhduar fushatën e tij presidenciale.