Lidhje

Mbyllet hetimi për ish ministrin Ksera


Prokuroria çon dosjen në gjykatë. Ish ministri i Punës Spiro Ksera dhe 6 persona të tjerë akuzohen se kanë vjedhur rreth 30 milionë lekë për aktvitete që nuk janë zhvilluar

Në Shqipëri Prokuroria deklaroi sot se ka mbyllur hetimet ndaj ish-ministrit të Punës dhe Cështjeve Sociale Spiro Ksera, anëtar i ish qeverisë së kryeministrit Sali Berisha deri në shtator të 2013. Ish ministri, i arrestuar në fund të Janarit të këtij viti, akuzohet për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim. Ai dhe 4 ish-vartës të tij, si dhe një punonjëse e një kompanie private dhe administratori e një kompanie organizimi eventesh, akuzohen se kanë vjedhur rreth 30 milionë lekë të reja, nëpërmjet procedurave fiktive për realizimin e disa aktiviteteve të pazhvilluara. Sipas prokurorisë, ata kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për lëvrimin e fondeve publike të parashikuara për organizimin e tyre.

Hetimet për ish zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Cështjeve sociale kishin nisur në pranverën e vitit të kaluar pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte dorëzuar në Prokurori një sërë shkeljes të konstatuara në veprimtarinë e këtij institucioni. Edhe në vitin 2013, kishte qenë po KLSH-ja që kishte denoncuar abuzime të tjera, për të cilat sërish u akuzuan disa ish zyrtarë. Mes tyre dhe Klevis Bitro, ish shefi i kabinetit të ministrit të asaj kohe Spiro Ksera. Bitro, i shpallur atëherë në kërkim, u arrestua vetëm vitin e kaluar ndërkohë që gjykatat e kishin dënuar, edhe për një cështje tjetër që lidhej me një kërkesë për vizë në ambasadën amerikane për tre persona të paraqitur si punonjës të ministrisë. Ish shefi i kabinitetit rezulton të jetë ndër personat kryesorë të përfshirë edhe në rastin e fundit. Ndaj tij, veç akuzës së “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim, rëndon dhe akuza për ”Falsifikim të dokumentave”.

E njejta akuzë për “Falsifikim dokumentash” është ngritur nga prokuroria dhe për tre ish zyrtarë të tjerë të ministrisë, nga të cilët dy janë të arrestuar, ndërsa një tjetër është hetuar nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, sikundër dhe punonjësja e një kompanie private. Ndërkohë që i ka shpëtuar arrestimit dhe është në kërkim, Alban Karabashi, administrator i Agjencisë ”Spektakël Karabashi.

XS
SM
MD
LG