Lidhje

Një sistem i ri për sinjalizmin e aksidenteve rrugore


Të gjitha automjetet e reja në Bashkimin Europian do të pajisen deri në prill të 2018-ës me një sistem që kryen automatikisht sinjalizime urgjente në raste aksidenti. Sllovenia tashmë ka filluar ta përdorë sistemin eCall, i cili bën që sensorët në makinë të transmetojnë automatikisht vendndodhjen e tyre, kohën e saktë, drejtimin e makinës, si dhe numrin e njerëzve që ndodhen brenda në makinë kur ndodh aksidenti.

Sipas shifrave të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2011 të paktën 30 mijë njerëz kanë humbur jetën në akisdente rrugore. Po sipas këtyre të dhënave, për çdo vdekje në aksident rrugor, katër të tjerë mbeten me dëmtime të përhershme nga plagët e marra në aksident, si dëmtime të trurit, apo të shtyllës kurrizore.

Deri në prill të vitit 2018, të gjitha modelet e reja të makinave që shiten në vendet e BE-së do të duhet të jenë të pajisura me eCall, një sistem i telefonatës automatike për rastet urgjente.

Kur ndodh një aksident, sistemi dërgon automatikisht sinjal tek shërbimet e emrgjencës dhe transmeton të dhëna bazë, si venddodhja e automjetit, drejtimi për ku ishte nisur dhe numri i pasagjerëve në makinë.

Sipas BE-së, numri i akidenteve vdekjeprurëse ka ardhur duke u pakësuar që nga viti 2001 dhe masa për instalimin e pajisjes eCall synon ta pakësojë më tej numrin e vdekjeve. Sllovenia është vendi i parë i BE-së që ka zbatuar sistemin eCall dhe operatorët në këtë qendër emergjence janë duke e përdorur atë.

Bostjan Tavcar drejton Qendrën për Informacion 112:

"ECall është një pajisje e vendosur në makinë dhe në rast aksidenti ajo zbulon ndryshimin tek shpjetësia e automjetit; në se jastëku i sigurisë është aktivizuar pajisja dërgon të dhëna, si psh ku ka ndodhur aksidenti, në ç'drejtim ishte nisur makina, sa pasagjerë kishte në bord dhe çfarë lloj karburanti përdorte. Avantazhi më i madh i pajisjes eCall është se mund të reagojmë menjëherë, edhe në aksidente ku nuk ka dëshmitarë okularë, ose në ato ku pasagjerët nuk kanë mundur të telefonojnë numrin 112 të urgjencës. 6 për qind e të gjitha aksidenteve në Slloveni ndodhin në rrethana të tilla. Një avantazh tjetër, veç vendndodhjes së makinës, është njohja e drejtimit të makinës, që është veçanërisht e dobishme në autostrada, sepse ekipi i shpëtimit zakonisht merr informacion të gabuar dhe nuk shkon në vendin e duhur."

Komisioni Evropian e propozoi këtë rregull në vitin 2013 dhe vitin e kaluar Parlamenti Europian votoi në favor të zbatimit të tij.

Marijan Rimac është shef i asistencës teknike në klubin kroat të automjeteve, i cili gjithashtu e mbështet këtë masë.

Rimac thotë "Ideja është që të shpëtohet jeta e njerëzve. Sipas vlerësimeve, sistemi eCall mund të shpëtojë rreth 2 mijë jetë njerëzish në vit në Europë dhe pakëson së tepërmi pasojat e dëmtimeve në aksidente."

Për personat e plagosur në aksidente, faktori kohë është thelbi i parandalimit të humbjes së gjakut dhe bllokimit të organeve, që mund të sjellin dëmtim afatgjatë, edhe në se shoferi, apo pasagjerët arrijnë të mbijetojnë.

Rimac thotë: "Veç shpjetësisë relae të makinës, sistemi mat tre forcat që veprojnë në makinë. Në se jastëku i sigurisë aktivizohet, sistemi sinjalizon menjëherë shërbimin e emergjencës. Sinjali mund të jetë një telefonatë e thjeshtë, apo një mesazh me të dhënat minimale."

Ligjvënësit evropianë thonë se do të jetë i mundur instalimi i sistemit eCall edhe në makina më të vjetra, ndoshta nën sediljen e shoferit dhe çmimi duhet të jetë i përballueshëm.

Por ligjvënësit në Parlamentin European, kanë shqetësimin se sistemi mund të cënojë të drejtën e privacisë të njerëzve.

Ndërsa prodhuesit e sistemit thonë se megjithëse eCall është i lidhur vazhdimisht me një operator të lëvizshëm, informacioni jepet vetëm në rastet e një aksidenti serioz.

Denis Gorjup, që punon për një qendër emergjence në Slloveni, thotë se sistemi i sinjalizimit është shumë i dobishëm për vizitorët, të cilët nuk janë në gjendje t'i japin shërbimit të emergjencës vendodhjen e saktë të aksidentit.

"Jam i mendimit se sistemi është shumë i vlefshëm për të huajt, sepse ata zakonisht nuk e dinë se ku ndodhen në mesin e një autostrade dhe përmes sistemit, ne përcaktojmë vendndodhjen e tyre në një aksident".

Modelet e reja të makinave do ta kenë sistemin e sinjalizimit si një pajisje standarte, duke filluar nga 31 marsi i vitit 2018.

Ky vendim do të thotë që vendet anëtare të BE-së, industria e makinave dhe palë të tjera do të kenë dy vjet në dispozicion për ta shtuar sistemin tek makinat ekzistuese dhe do ta vendosin atë tek automjetet e reja.

XS
SM
MD
LG