Lidhje

Kandidatët dhe marrëveshja për tregtinë e lirë


Ndërkohë që Donald Trump ka mbetur si kandidati i vetëm republikan për president, deklaratat e tij po shqyrtohen me më shumë vëmendje në SHBA dhe më gjerë. Zoti Trump, si dhe të dy kandidatët demokratë, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, janë prononcuar kundër Marrëveshjes Trans-Paqësor për tregtinë e lirë.

“Marrëveshja do të shkatërrojë industrinë tuaj të makinave në Ohio”, tha zoti Trump.

Marrëveshja e nënshkruar këtë vit synon të ulë tarifat dhe të nxisë tregtinë ndër 12 vende përqark Oqeanit Paqësor. Pakti nuk ka hyrë ende në fuqi, ndërkohë që nuk ka marrë mbështetje gjatë fushatës presidenciale në SHBA.

“Shpresoja se negocimi nga kjo administratë i marrëveshjes, do të trajtonte shqetësimet e shprehura. Kur pashë rezultatin, e kundërshtova,” thotë zonja Clinton.

Gjatë kohës kur ishte sekretare e shtetit, zonja Clinton e lavdëroi marrëveshjen si një “standart të artë për marrëveshjet e tregtisë”. Ndryshimi në qëndrimin e saj tregon për rënien e vëmendjes ndaj tregtisë në ciklin elektoral amerikan.

“Për shkak të marrëveshjeve të tmerrshme të tregtisë, po humbasim me çdo vend me të cilin bëjmë biznes; vendet e punës po largohen. Është e pabesueshme,” tha zoti Trump.

Shpesh debati shkakton hutim. Zoti Trump është p.sh. kundër tarifave që u vendos produkteve amerikane, ndërkohë që marrëveshja synon të heqë këto tarifa.

“Ne dërgojmë produktet bujqësore më të mira në botë dhe atyre u vendosen 38% taksa në Japoni. Mendojeni,” tha zoti Trump.

Shtëpia e Bardhë nuk lëkundet.

“Nga perspektiva strategjike ekonomike, kemi argumenta të forta që Kongresi ta miratojë marrëveshjen e negociuar nga Presidenti,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Kongresi i udhëhequr nga republikanët ka autorizuar miratimin me shpejtësi të marrëveshjeve të tregtisë, por asnjë nga dhomat e Kongresit nuk ka dhënë shenja se do të miratojë Marrëveshjen Trans-Paqësor të tregtisë së lirë.

XS
SM
MD
LG