Lidhje

Kinezo-amerikanët për Trumpin


Një studim i ri i kryer nga tre organizatat aziatiko-amerikane tregon se mes votuesve aziatiko-amerikanë ka tre herë më shumë demokratë sesa ka republikanë dhe ata favorizojnë Hillary Clinton mbi Donald Trump. Por një grup, i quajtur kinezo-amerikanët për Trumpin, është duke shkuar kundër prirjes duke mbështetur fuqishëm manjatin e pasurive të patundshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee u takua me ta në një miting të Trumpit dhe njofton nga Anaheim në Kaliforni.

Mes qindra pjesëmarrësve, ata i dallon shpejt – Kinezo Amerikanët për Trumpin – dhe të gjithë duan të bëjnë një foto me ta.

“Na pëlqen Trumpi. E ndjejmë se kur flet është shumë i drejtpërdrejt”, thotë një prej tyre.

Kur banori i Los Anxhelesit Tian Wang zbuloi video të miliarderit Donald Trump në internet, filloi t’i pëlqente shumë kandidati që flet me gjuhë të thjeshtë. Wang krijoi grupin Kinezo-Amerikanët për Trumpin dhe e ka organizuar atë përmes aplikacionit të medias sociale WeChat. Grupi është rritur në gati 2 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara.

”Kur ai kishte vetëm një përqind mbështetje në vend, ne ishim pas tij, dhe tani ai është kandidati presidencial republikan. Ne besojmë se ai më në fund do të bëhet president.”

Ndërsa disa e përshkruajnë Trumpin si pa dorashka dhe politikisht jo-korrekt, anëtarët e këtij grupi thonë se nuk i bezdis një gjë e tillë.

“Unë e kuptoj mënyrën se si flet ai. Është si një prind. Babai im e përdor shpesh këtë lloj toni kur ne nuk e dëgjojmë. Babai na qorton por besoj se nuk është problem i madh. Thelbi është se kur vjen puna tek idetë e Trumpit mbi qeverisjen, tek shpirti sipërmarrës… ai është i prerë”, thotë Nancy Jian, anëtare e grupit.

Qëndrimi i prerë i Trumpit përfshin një gjuhë të ashpër ndaj Kinës. Ai e ka quajtur atë manipuluese të monedhës. Por anëtarët e këtij grupi thonë se kjo nuk është problem.

“Nuk mendoj se Trump ka thënë gjë kundër Kinës. Trumpi thotë gjithmonë 'E dua Kinën, e dua popullin kinez.' "

Ata thonë se po e mbështesin Trumpin dhe partinë republikane pasi vlerat konservatore përputhen me vlerat bazë të vendit të tyre.

“Legalizimi i marijuanës dhe legalizimi i martesave të të njëtit seks janë të gjitha çështje që nuk na pëlqejnë – jemi kundër. Kur erdhëm në Shtetet e Bashkuara gjëja më e rëndësishme për ne ishte e ardhmja. Arsyeja që erdhëm ishte liria dhe demokracia, vendi i mundësive. Në se vazhdojmë në këtë drejtim dhe të gjithë përdorim marijuanën, në se të gjithë fëmijët tanë ndjekin atë rrugë dhe bëhen homoseksualë, atëherë a nuk do të jetë kaos?”

Megjithëse janë pakicë mes aziatiko-amerikanëve dhe kinezo-amerikanëve, kur flitet se kë mbështesin për president, ata thonë se Trump personifikon atë ndryshim për të cilin ka nevojë vendi pas qeverisjes tetë vjecare të Presidentit Obama.

XS
SM
MD
LG