Lidhje

Gazetarët amerikanë të vrarë në detyrë


Vdekja e një gazetari të rrjetit NPR dhe përkthyesit të tij konfirmoi sërish se gazetaria është ndër profesionet më të rrezikshme në botë. Disa gazetarë vriten aksidentalisht në zona lufte, ose kur raportojnë për konfliktet e dhunshme; të tjerë bëhen objektiv i kriminelëve, fraksioneve politike apo terroristëve. Vitin e kaluar, mbi 70 gazetarë u vranë në mbarë botën.

Muzeumi i gazetarisë në Uashington, i quajtur Newseum, përkujtoi 20 persona nga 11 vende që u vranë gjatë vitit 2015 duke bërë punën si gazetarë.

“2015-ta ishte një vit veçanërisht tragjik për gazetarët. Ne veçuam 20 prej tyre, një numër më i madh se zakonisht, për të përfaqësuar të gjithë ata që u vranë”, thotë Jeffrey Herbst me Institutin e Muzeut të Gazetarisë.

Emrat e 20 viktimave u shtuan tek Memoriali i Gazetarëve, një strukturë xhami dy kate e lartë, që mbart emrat e rreth 2300 anëtarëve të rrjeteve mediatike të vrarë në detyrë që në vitin 1837.

​Tetë gazetarë u vranë gjatë sulmit terrorist ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”. Ambasador francez në SHBA paralajmëroi audiencën në Uashington se shpesh liria e shtypit mbytet me pretekstin e luftës kundër terrorizmit.

“Ne nuk i bëjmë thjesht elozhe lirisë së shtypit në Francë, por punojmë ta bëjmë realitet. Prandaj edhe po e përjashtojmë median nga rregullat e vendosura prej gjendjes së emergjencës të vendosur pas sulmeve në Paris në muajin nëntor”, thotë Gerard Araud, Ambasador i Francës në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa terroristët, rebelët dhe madje edhe disa qeveri vrasin gazetarë për të kontrolluar lirinë e informimit, në SHBA ata vriten përgjithësisht nga sulmues individualë. Fotografi Joseph Goulart u vra nga një snajper në vitin 1976. Vajza e tij, Vicky Horton, mori pjesë tek aktiviteti në muzeum.

“Respekton atë dhe të gjithë këta njerëz që kanë dhënë kaq shumë për ne, në veçanti në Amerikë, por edhe në botë, dhe e mban atë të gjallë në zemrat tona.”

Një koleg vrau me armë reporteren e Virxhinias, Alison Parker, dhe kameramanin, Adam Ward, ndërsa ishin në transmetim të drejtpërdrejtë. Sulmuesi madje e regjistroi sulmin dhe e postoi në internet. Babai i Alison Parker thotë se kontributi në përpjekjet për kontrollin e armëve, e ndihmon të mposhtë dëshpërimin.

“Do të doja shumë të mos ndodhesha këtu.”

Gazetarët e tjerë që u nderuan ishin nga Bangladeshi, Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Meksika, Pakistani, Somalia, Siria dhe Turqia. Gazetari amerikan David Gilkey, që u vra të dielën në Afganistan, pati mbuluar edhe konfliktin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG