Lidhje

NATO: Gati për një përballje afatgjatë me Rusinë


Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për një përballje afatgjatë me Rusinë, duke urdhëruar dislokime trupash, përfshirë 1.000 amerikanë në Poloni dhe në shtetet baltike për të ndihmuar në mbrojtjen e këtyre vendeve.

Synimi i tyre është ta detyrojnë Moskën të rishikojë planet që ajo mund të ketë për ndonjë ndërhyrje ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në takimin e nivelit të lartë të Aleancës në Varshavë se Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit e 27 aleatëve të tjerë të NATO-s kanë bërë të ditur masat fillestare për ndërtimin e një sistemi raketash balistike në gjendje operative.

Ata përmendën gjithashtu hapësirën kibernetike si fushë operative për aktivitetet e NATO-s, me angazhimin për të rritur gatishmërinë civile. Udhëheqësit përsëritën zotimin për të shpenzuar një minimum prej 2 për qind të të ardhurave kombëtare për mbrojtjen.

Zoti Stoltenberg tha të premten, në ditën e parë të samitit dy-ditor, se NATO-ja ka marrë vendime për masa frenuese dhe mbrojtëse që u përshtaten sfidave të shekullit të 21-të. ''

PARALAJMËRON PRESIDENTI I POLONISË

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda paralajmëroi në samit se vlerat demokratike perëndimore po minohen nga një mungesë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare', si dhe nga lufta hibride dhe terrorizmi. Ai tha se aleanca ka nevojë për një strategji koherente për të përballuar problemet.

Presidenti Duda, mikpritës i samitit të NATO-s në Varshavë, tha se që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin trans-atlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë.

Duke iu referuar me sa duket agresivitetit të ripërtërirë të Rusisë, ai tha: “Sot këto vlera janë përsëri duke u minuar nga kërcënimet dhe sfidat, disa prej të cilave Evropa nuk i kishte njohur për dekada të tëra''.

Një zyrtar i lartë i NATO-s thotë se disa aleatë mund të rrisin numrin e trupave që kanë në Afganistan, duke garantuar një total të aftë për të vazhduar të gjitha misionet aktuale.

Vendet e NATO-s pritet të njoftojnë të shtunën se cili do të jetë kontributi i tyre me trupa, pas njoftimit të SHBA se do të reduktojnë forcat nga rreth 9,800 në 8400 deri në fund të vitit. Ky vendim anulon planet e mëparshme amerikane për ta shkurtuar nivelin e trupave në 5.500.

Zyrtari tha se numri i përgjithshëm i forcave aleate në Afganistan do të mbetet i afërt me nivelin aktual prej gati 13.000 trupash. Ky numër do të lejojë aleatët për të mbajtur trupat e pozicionuara në katër qendra rajonale në të gjithë vendin, si dhe në selinë e tyre në Kabul, kryeqyteti i vendit.

XS
SM
MD
LG