Lidhje

Theresa May, kryeministrja e pritshme e Britanisë


Kryeministri i Britanisë, David Cameron do të japë dorëheqjen të mërkurën. Theresa May do të marrë postin e kryeministrit po atë ditë dhe do të ketë detyrën e vështirë të negociojë për marrëdhëniet e reja me Bashkimin Evropian.

Kryeministrja e pritshme tha sot se vendimi për të dalë nga BE-ja tashmë është marrë dhe nuk do të ketë përpjekje për të rihyrë në BE.

59-vjeçarja Theresa May, fitoi garën për të qenë kryeministrja e re e Britanisë, pas tërheqjes së papritur sot të ministres së Energjisë, Andrea Leadsom.

E konfirmuar si udhëheqësja konservatore, zonja May bëhet automatikisht kryeministre në vend të zotit Cameron.

Ajo do të jetë kryeministrja e dytë e vendit pas zonjës Margaret Thatcher.

Zonja May tha sot se shkëputja e Britanisë është përfundimtare:

"Brexit do të thotë Brexit dhe ne do ta bëjmë atë me sukses. Nuk do të ketë përpjekje për të qëndruar në BE. Nuk do të ketë përpjekje për t'u ribashkuar me BE-në nga dera e pasme dhe as një referendum të dytë", tha zonja May duke folur në Birmingham.

Kryeministri David Cameron tha se të mërkurën ai do t’ia paraqesë dorëheqjen Mbretëreshës, pasi të ketë marrë pjesë në sesionin e parlamentit, që do të jetë i fundit për të.

Duke folur sot në panairin e industrisë ajrore në Farnborough, zoti Cameron tha se Britania duhet të pranojë realitetin e votës dhe të punojë për të krijuar një marrëdhënie të re me partnerët e saj evropianë:

"Unë besoj se është në interesin tonë themelor kombëtar dhe ekonomik që të mbetemi shumë pranë Bashkimit Evropian, në tregti, në biznes dhe në bashkëpunimin për sigurinë. Pra, le të jetë ky synimi ynë,” tha zoti Cameron.

Zoti Cameron e njoftoi dorëheqjen një ditë pasi fushata e tij që Britania të mbetej në Bashkimin Evropian u mund në referendum. Ai tha se Britania tashmë e provoi reagimin negativ të tregjeve botërore dhe rënien e vlerës së paundit që ai kishte paralajmëruar se do do të ndodhte, nëse vendi do të votonte për shkëputjen.

"Mbi të gjitha, ne duhet të kuptojmë se tani jemi në një realitet të ri, ne duhet ta pranojmë atë dhe ta bëjmë të funksionojë,” tha zoti Cameron.

Ai tha se Britania duhet të mendojë në përmasa të mëdha dhe në mënyrë radikale", për të arritur rezultatin më të mirë në rrethanat e reja, duke përfshirë përpjekje shumë më të mëdha në tregti dhe investime që të kenë si objektiv ekonomitë me rritje të shpejtë si India dhe Kina.

XS
SM
MD
LG