Lidhje

Venecia: ekspertët e huaj, kyç për suksesin e Reformës


Drejtësia, Presidenti i Komisionit të Venecias: Disa nga zgjidhjet shumë ndryshe nga c’ishte diskutuar. Mekanizmi përzgjedhës shumë i ndërlikuar. Ambasadori amerikan Lu: Pati rezistencë. Politika ju nënshtruar zërit të popullit

Në Shqipëri, presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio deklaroi mbrëmë se e ardhmja e Reformës në Drejtësi do të varet nga mirëfunksionimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. I pranishëm në një ceremoni të organizuar nga Komisioni i posaçëm parlamentar, ai tha se në tekstin përfundimtar të Reformës, disa nga zgjidhjet janë të ndryshme nga ato që ishin diskutuar më parë, duke e konsideruar si shumë të komplikuar mekanizmin e përzgjedhjes. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, duke ju referuar qartazi opozitës e cila nuk mori pjesë në aktivitet, tha se çdo hap i Reformës do të jetë një betejë. Ndërkohë që kreu i parlamentit Iir Meta ritheksoi nevojën e konsensusit edhe në fazën e miratimit të ligjeve. Për ambasadorin amerikan fituesit e vërtetë të Reformës ishin shqiptarët që e kërkuan me këmbëngulje realizimin e saj.

Miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi natën e 21 korrikut nuk ka sjellë, të paktën deri tani, asnjë ndryshim në marrëdhëniet mes shumicës dhe opozitës, të cilat u acaruan ditët e fundit për shkak të debatit lidhur me miratimin me shpejtësi të 7 ligjeve që duhet të vënë në jetë këtë Reformë. I pari në listë është ai për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, proçes në të cilin një rol të dorës së parë do të kenë ekspertët e huaj. Për angazhimin dhe kompetencat e tyre u harxhuan javë debatesh dhe negociatash, por për presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, do të jetë përcaktues për fatet e Reformës. “E gjithë arkitektura e reformës, përsa i përket vlerësimit, mbështetet te përfshirja e aktorëve ndërkombëtarë. Eshtë e vërtetë se të huajt nuk mund të marrin përgjegjësi për atë që ndodh në vend. Shqipëria është një vend sovran, një shtet demokratik, i lirë dhe sovran, i cili do të vendosë vetë se si të zhvillohet dhe në ç’drejtim. Megjithatë në 21 korrik u mor një vendim i rëndësishëm. E ardhmja e Reformës në Drejtësi varet në mirëfunksionimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, theksoi ai. “Ndërkohë që përgjegjësia kryesore për suksesin e Reformës mbetet në duart e shqiptarëve, pa mbështetjen e ndërkombëtarëve, kjo Reformë do të jetë vështirë që të jetë e suksesshme. Dhe përfshirja e tyre ka qenë një parakusht që forcat politike të tejkalojnë mungesën e besimit dhe të gjenin një platformë të përbashkët. Prandaj – deklaroi ai - i bëj thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që të japin mbështetjen e duhur financiare e politike për këtë Reformë e për të siguruar dhe sjelljen në kohë dhe efikase të të gjithë anëtarëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Pa këtë Operacion, të gjitha paratë e investuara për këtë Reformë do të shkojnë dëm”, nënvizoi presidenti i Komisionit të Venecias.

Zoti Buquicchio nuk u shfaq shumë optimist me zgjidhjet e dhëna nga klasa politike shqiptare, të çështjeve që Komisioni i Venecias i kishte lënë të hapura për t’u mbyllur nga vetë ajo, ndërkohë që kishte ofruar dhe disa opsione. “Ne e kemi ndjekur nga afër proçesin, si po formësohet, dhe kam kuptuar edhe kritikat e opozitës për projektet e mëparshme të Reformës. Shumë prej këtyre shqetësimeve janë dëgjuar dhe janë marrë parasysh në tekstin përfundimtar. Me ç’kam kuptuar, ky tekst përfundimtar, i cili u miratua më 21 korrik ishte rezultat i shumë kompromiseve politike. Disa nga zgjidhjet janë shumë ndryshe nga ato që ishin diskutuar më herët këtë vit”, u shpreh ai duke nënvizuar se “mekanizmi i përzgjedhjes është shumë i ndërlikuar dhe mund të përshkruhet si një miks i sistemeve proporcionale dhe mazhoritare. Do të shohim se si do të funksionojë në praktikë. Unë shpresoj shumë që të nisë nga puna shpejt dhe mirë”, deklaroi zoti Buquicchio.

Presidenti i Komisionit të Venecias, një njeri që e njeh mjaft mirë realitetin shqiptar, duke qenë i angazhuar që në hartimin e Kushtetutës së parë në 1998, ndërsa vlerësoi “me admirim profesionalizimin e ekspertëve shqiptarë”, apo dhe “entuziasmin e mrekullueshëm të kryearit të Komisionit të posaçëm Fatmir Xhafaj” pati dhe një mesazh për politikën shqiptare.” I bëj thirrje palëve për racionalitet dhe vullnet të mirë. Unë mendoj se opozita nuk duhet të mos i pranojë propozimet e bëra nga shumica, vetëm se vijnë nga shumica. Po ashtu dhe kjo e fundit nuk duhet të shoh kritikën që vjen nga opozita si një kritikë që minon punën e bërë. Që të dyja palët kanë shumë për të thënë. Ndaj mendoj se legjislacioni zbatues do të hartohet e miratohet pa vonesa të mëtejshme në një atmosferë racionaliteti dhe dialogu të mëtejshëm”

Thirrja e presidentit të Komisionit të Venecias, vjen në një moment kur pikërisht racionaliteti duket se mungon e po ashtu dhe dialogu pa paragjykime. Opozita nuk mori pjesë në ceremoninë e mbrëmshme, as anëtarët e Komisionit të Reformës. Ajo vazhdon të akuzojë kryeministrin si njeriun që nuk e do konsensusin. Ky i fundit nga ana e tij këmbëngul se “blloku kundër reformës” u thye vetëm falë “presionit të pazakonshëm ndërkombëtar dhe “presionit që krijoi brenda atij blloku, kurajo e disa deputetëve që garantuan shumicën kushtetuese për votimin e Reformës”. Zoti Rama nuk u duk aspakt optimist se faza tjetër e proçesit do të mund të jetë e ndryshme: “Rruga e kësaj reforme kaq radikale, nuk është më e lehtë tani që kaloi reforma kushtetuese, por do të jetë e vështirë në çdo hap, qoftë me 7 ligjet urgjente që kanë radhën tani, qoftë me zbatimin e tyre, që është një histori krejt më vete, dhe me dhjetëra ligjet e tjera që janë në planin e punës kolosale për këtë reformë. Çdo hap do të jetë një betejë”.

Në fjalën e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta ju përmbajt linjës së mbrojtur fort kohët e fundit, mbi domosdoshmërinë e konsensusit. Duke folur si nga pozitat e dikujt që qëndron mbi palët, dhe jo si pjesë e koalicionit në të cilin LSI-ja është e rreshtuar, ai pati mesazhe si për opozitën dhe ashtu dhe për shumicën. “E ftoj opozitën të vazhdojë në rrugën e konsensusit në mënyrë konstruktive, në mënyrë racionale, në mënyrë konkrete, sepse në këtë mënyrë i bën nder edhe vetes së saj, por natyrisht jep një kontribut historik për përmbylljen me sukses të një reforme madhore për 30 vitet që vijnë”, theksoi zoti Meta, duke vijuar me shumicën, të identifikuar qartë këtë herë kryesisht vetëm me socialistët e kryeministrit Rama: “Nuk duhet të harrojmë se dikur kemi qenë të gjithë në opozitë. Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një demokraci e pakthyeshme, ku rotacioni është i pashmangshëm për të gjithë ne dhe një ditë përsëri do të jemi në opozitë. Unë e kuptoj ndonjëherë kur opozita kërkon tension, por nuk besoj kurrë se është interesi i mazhorancës dhe i qeverisë që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e detyrojmë të duket më keq, sepse kjo nuk e ndihmon Shqipërinë, për të cilën ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë kryesore sot, që të duket më mirë përpara BE-së, përpara NATO-s dhe SHBA-ve, përpara të gjitha vendeve partnere në rajonin tonë”.

E ndërsa klasa politike vazhdon të jetë e mbërthyer nga përplasjet, qoftë edhe se kush ishte fituesi apo humbësi, për ambasadorin amerikan Donald Lu “nderimi i takon popullit shqiptar. Historia do të regjistrojë shumë heronj dhe antiheronj nga javët e fundit të debatit për reformën në drejtësi. Asnjë hero i vetëm nuk është aq i fuqishëm sa zëri i qytetarëve shqiptarë. Kërkonin diçka shumë të thjeshtë – drejtësi. Jam i kënaqur që udhëheqësit politikë i dëgjuan dhe e miratuan këtë reformë. Rezistenca ndaj kësaj reforme ishte e vërtetë. U desh kurajo që të dëgjohej populli shqiptar dhe ajo të miratohej . Shpresoj që udhëheqësit e Shqipërisë do të përmbushin zotimin e tyre ndaj popullit duke e zbatuar plotësisht këtë reformë të rëndësishme. Një demokraci e vërtetë është demokracia në të cilën udhëheqësit dëgjojnë vullnetin e popullit”, nënvizoi ambasadori Lu. Ndërsa homolgia e tij e BE-së, Romana Vlahutin, deklaroi se “nuk kemi bërë punë që të mbetet në letër. Reforma do të zbatohet. Nuk ka demokraci të vërtetë pa një sistem të drejtë drejtësie”.

XS
SM
MD
LG