Zyrtarët francezë kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e zjarrit që përfshiu gjatë natës një klub në qytetin veriperëndimor Rouen, nga i cili humbën jetën të paktën 13 vetë.
Autoritetet thanë se 6 persona kanë pësuar dëmtime dhe një prej tyre është në gjendje të rëndë.
Sipas policisë, zjarri filloi në bodrumin e klubit Cuba Libre, që ishte marrë me qera për të festuar një ditëlindje.
Një tortë me qirinj ra në dysheme dhe bëri që qilimi të merrte zjarr, duke e mbushur bodrumin me tym dhe me gazra helmues. Më shumë se 80 zjarrfikës luftuan me flakët.
Autoritetet dërguan sot një ekip psikologësh në një spital të Rouenit për të ndihmuar të afërmit e vitimave.
Franca jeton ende në tension për sulme të mundshme terroriste, pas dy ngjarjeve tragjike që tronditën vendin muajin e kaluar.